Sindikata e Transportit Taksi të Shqipërisë dhe Sindikata e Transportit Taksi për Rrethin e Tiranës paralajmëruan përshkallëzim të lëvizjes sindikale nëse institucionet nuk ndërmarrin masa për plotësimin e kërkesave të tyre. Duke dalë në protestë të mërkurën, sindikatat shprehën shqetësim për gjendjen në sektorin e transportit taksi, përfshirë rënien e të ardhurave të taksistëve si pasojë e disa faktorëve të përmendur prej tyre.
Sindikatat vunë në dukje se shtimi i pakontrolluar i numrit të mjeteve të licencuara dhe qarkullimi i automjeteve të palicencuara po ndikojnë negativisht në punën dhe fitimet e taksistëve. Ata shënuan gjithashtu se çmimi i lartë i karburantit, taksat dhe tarifat e parkimit kanë ulur ndjeshëm të ardhurat e tyre. Në përpjekje për të zgjidhur këto problematika nëpërmjet dialogut, sindikatat organizuan një tryezë me përfaqësues të Bashkëqeverisjes, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Bashkisë së Tiranës, Policisë Rrugore, Policisë së Rendit dhe Policisë Bashkiake.
Megjithatë, përfaqësuesit e sindikatave shfaqën pakënaqësi për atë që e konsiderojnë mungesë përgjegjësie dhe angazhimi nga ana e Bashkisë së Tiranës në trajtimin e kërkesave të tyre. Sindikatat kërkojnë ndërhyrje konkrete nga institucionet për të rregulluar situatën dhe për të mbrojtur personat që ushtrojnë shërbimin taksi.
Kërkesat që sindikata bëri publike përfshijnë: respektimin e tarifave të taksimetrit dhe përcaktimin e kritereve për personat që ushtrojnë shërbimin taksi; që targat, pullat e Bashkisë dhe licencat të jenë në pronësi të personit që ushtron aktivitetin; largimin nga shërbimi i të gjitha automjeteve që nuk janë të licencuara; uljen dhe stabilizimin e çmimit të karburantit në përputhje me nivelet e tregut ndërkombëtar dhe garantimin e cilësisë së karburantit; trajtimin me më shumë përparësi të shërbimit taksi nga organet e qarkullimit rrugor; dhe përcaktimin e numrit të licencave të taksive në bazë të numrit të banorëve, si dhe subvencionimin e karburantit, pasi ky shërbim konsiderohet publik.

