Një njohje përmes aplikacionit Tinder është shndërruar në çështje sigurie për NATO-n, pasi një oficer i lartë i Marinës Spanjolle nisi një marrëdhënie me Janina White, 49 vjeçe, shtetase britanike dhe polake, e lindur në ish-Bashkimin Sovjetik. Sipas “Telegraph”, White është dyshuar si e mundshme agjente e Kremlinit, akuza që ajo i mohon me forcë: “E di me siguri që nuk jam spiune ruse. Të paktën herën e fundit që kontrollova, nuk isha”, deklaroi ajo, duke thënë se është trajtuar padrejtësisht për shkak të origjinës së saj.
Oficeri shërbente në Komandën Detare Aleate të NATO-s, MARCOM, me seli në Northwood, Hertfordshire, një qendër kyçe për operacionet detare dhe ndarjen e inteligjencës. Detyrat e tij përfshinin monitorimin e nëndetëseve dhe anijeve luftarake ruse, si dhe cisternave të lidhura me të ashtuquajturën “flotë në hije”, e përdorur për të anashkaluar sanksionet perëndimore.
Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga “Telegraph”, lidhja nisi në tetor 2024 pasi të dy u njohtën përmes Tinder. Më 12 dhjetor, oficeri e ftoi White në një aktivitet shoqëror në bazën e Northwood; ajo mori një leje njëditore si vizitore e shoqëruar. Dyshimet që u ngritën çuan në masa sigurie: qasja e oficerit në bazë u revokua dhe ai u ndalua të hynte në ambientet e Northwood gjatë hetimit. U nisën dy procedura të veçanta sigurie, njëra brenda NATO-s dhe tjetra nga autoritetet spanjolle.
Një dokument gjyqësor i cituar nga gazeta tregon se procedurat çuan në pezullimin e autorizimit të sigurisë kombëtare të oficerit nga Spanja; autoritetet britanike, sipas të njëjtit dokument, nuk ishin të përfshira në hetimin specifik. Oficeri u largua më pas nga Northwood dhe u kthye në Spanjë në vitin 2025.
White, e cila jeton në Romford, thotë se dyshimet ndaj saj bazohen kryesisht në prejardhjen e lindjes në Bashkimin Sovjetik dhe mohon çdo lidhje me inteligjencën ruse. Ajo po ashtu bëri të ditur se nuk është më në marrëdhënie me oficerin. Rasti ka rikthyer vëmendjen te masat e rrepta të sigurisë në Northwood dhe ka çuar në një hetim ndërkombëtar sigurie dhe në humbjen e aksesit në një prej objekteve më të ndjeshme ushtarake të NATO-s në Evropë.

