Kryeministri Edi Rama mblodhi për dy ditë në Pogradec ministrat, drejtuesit e komisioneve dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste për hartimin e strategjisë së punës së qeverisë dhe për vitin e ri politik. Përmes një videoje të publikuar nga Rama u përmbledhën disa qëndrime të pjesëmarrësve; në qendër të diskutimeve ishte nevoja për reflektim pas një periudhe të gjatë në qeverisje, forcimi i marrëdhënies me qytetarët dhe përkthimi i shqetësimeve të tyre në vendimmarrje dhe rezultate konkrete.
Rama kërkoi më shumë angazhim të drejtuesve politikë në terren dhe kontroll më të drejtpërdrejtë të ministrave mbi institucionet në varësi, duke propozuar që çdo muaj ministrat të ndjekin personalisht drejtoritë dhe që grupet e deputetëve të fokusohen bashkë për analizë territori. Një nga temat qendrore ishte dokumenti “Besa”, i cili synon të identifikojë dhe adresojë konkretisht shqetësimet e qytetarëve dhe të vërë emra konkretë për problemet publike, si e përshkroi Mirela Kumbaro.
Ministrat dhe drejtuesit politikë theksuan nevojën për njohjen e problematikave të kategorive të ndryshme (Ogerta Manastirliu), rrezikun e erozionit të besimit pas një periudhe të gjatë qeverisje (Arbian Mazniku) dhe sfidën e kthimit të dëgjimit të qytetarëve në vendimmarrje dhe rezultat (Erion Malaj). Evis Kushi e quajti reflektimin të domosdoshëm, ndërsa Milva Ekonomi e përshkroi qasjen si ndryshim të kulturës së qeverisjes. Enea Karakaçi propozoi njësi “Besa” edhe në secilën ministri.
Në fokus u vu edhe përgjegjësia për rezultatet dhe nevoja që mungesa e performancës të ketë pasoja, si theksoi Adea Pirdenji. Fatmir Xhafaj foli për forcimin e marrëdhënies mes qeverisë dhe qytetarëve, ndërsa Bledi Çuçi e konsideroi dokumentin “Besa” si një kërkesë të ardhur nga shoqëria. Modeli i “Pranisë Besnike” planifikohet të zbatohet në 12 qarqe; përgjegjësia e zbatimit i ngarkohet drejtuesve politik, deputetëve dhe kryetarëve lokalë të PS-së, thanë Ervin Demo dhe Ermal Nufi. Niko Peleshi lidhte ndërtimin e besimit me punën dhe faktet, ndërsa Iris Luarasi bëri ndarjen mes rolit të qeverisë dhe partisë. Anila Denaj përshkroi “Besa” si mekanizëm për përqendrimin e informacionit, analizë faktesh dhe marrje masash.
Takimi u përqendrua te sektorët shëndetësi, arsimi, strehimi, politikat sociale dhe çmimet e ushqimeve bazë. Rama kërkoi më shumë kontroll mbi institucionet në varësi. Si pjesë e qasjes, platforma “Pasqyrë Albania” synon përgjigje brenda dy javësh, e mbështetur nga “Flamingo Albania” për mbledhjen e ankesave dhe “Radar” për ndjekjen në kohë reale të trajtimit të problemeve nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.

