Këngëtarja amerikane Taylor Swift është pranuar zyrtarisht në Sallën e Famës së Këngëtarëve të Nashville-t. Artistja 36-vjeçare, fituese e 14 çmimeve Grammy, shprehu mirënjohjen për qytetin që, sipas saj, hodhi themelet e rrugëtimit të saj muzikor. Ceremonia e pranimit u mbajt të hënën, më 26 tetor, në Qendrën e Qytetit të Muzikës në Nashville.
Gjatë fjalimit, Swift vlerësoi ndikimin e komunitetit muzikor të Nashville-it në formimin e saj artistik dhe krijues, duke theksuar rolin e kompozitorëve që e shoqëruan dhe frymëzuan në vitet e para të karrierës. Ajo i përshkroi kompozitorët si njerëz që, përtej aftësisë së tyre për të kuptuar dhe interpretuar natyrën njerëzore, janë njerëz të zakonshëm që e kanë rritur dhe udhëhequr gjatë viteve formuese të jetës së saj: “Një gjë që kam mësuar është se kompozitorët, pavarësisht aftësisë së tyre pothuajse mbinjerëzore për të kuptuar dhe interpretuar natyrën njerëzore dhe nivelit të lartë të empatisë, janë gjithashtu njerëz të zakonshëm. Në shumë mënyra, ata më kanë rritur dhe më kanë udhëhequr gjatë viteve formuese të jetës sime.”
Swift foli gjithashtu për mundësitë që i janë krijuar falë përvojës së saj në Nashville, një qytet që shënoi fillimin e karrierës së saj dhe i dha mundësinë të eksploronte zhanre të ndryshme, të udhëtonte në mbarë botën dhe të bashkëpunonte me kompozitorë të shumtë. Ajo lidh fleksibilitetin në procesin krijues me mësimet muzikore të marra në Nashville: “E vetmja arsye pse kam arritur të kem një fleksibilitet të tillë në procesin tim krijues janë parimet dhe themelet që mësova këtu në Nashville. Nuk e harroj këtë për asnjë sekondë.”
Swift e konsideroi pranimin si një nder të veçantë dhe tha se do ta ruajë gjithmonë lidhjen me qytetin që, sipas saj, kultivoi dhe përsosi një pjesë të identitetit të saj artistik: “E kuptoj sa e pabesueshme është kjo dhe do ta mbaj përgjithmonë në zemrën time, sepse Nashville është vendi që kultivoi dhe përsosi këtë pjesë të vetes dhe të jetës sime, për të cilën ndiej krenarinë dhe pasionin më të madh.” Pranimi ishte njoftuar më 11 gusht nga Mark Ford, drejtor ekzekutiv i fondacionit që administron institucionin. Me këtë vlerësim, Swift bëhet kompozitorja më e re e përfshirë në institucion për vitin 2026, në kategorinë e kompozitorëve dhe artistëve bashkëkohorë me një karrierë 20-vjeçare.

