Katër persona u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën në sulmet e reja ruse gjatë natës në rajone të ndryshme të Ukrainës, ndërsa bilanci i viktimave nga bombardimi masiv i së enjtes në Kiev u rrit në 30, njoftuan autoritetet ukrainase. Në rajonin e Sumyt, një dron rus goditi një banesë, duke vrarë dy gra, një burrë të moshuar dhe një vajzë nën dy vjeç; tre të tjerë u plagosën, tha kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleh Khryhorov. Në Kryvyi Rih, shtatë persona u plagosën pas një sulmi me raketa në një zonë të banuar, bëri me dije Oleksandr Vilkul, kreu i Këshillit të Mbrojtjes së qytetit.
Bilanci në Kiev u rrit pasi ekipet e shpëtimit nxorën tri trupa të tjerë nga rrënojat; më herët ishte raportuar për 27 të vdekur dhe 91 të plagosur. Sulmi shkaktoi shembjen e blloqeve të tëra të apartamenteve, goditi një ndërtesë ku ishin vendosur ambulanca dhe dëmtoi një godinë ku banojnë disa diplomatë, sipas zëdhënëses së Bashkimit Evropian, Anita Hipper. Gjithashtu u shkatërrua një nga depot kryesore të Kryqit të Kuq Ukrainas, ku ruheshin furnizime humanitare.
Duke vizituar zonat e goditura, presidenti Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën se po synon objektiva civile dhe politike “për ta detyruar Ukrainën të heqë dorë nga shteti i saj” dhe premtoi se Ukraina do t’i përgjigjet sulmeve. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, e përshkroi bombardimin si sulmin “më masiv” ndaj kryeqytetit që nga fillimi i luftës dhe shpalli ditë zie. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia do të rrisë presionin për të arritur objektivat e saj.
Presidenti ukrainas i bëri thirrje aleatëve perëndimorë të forcojnë mbrojtjen ajrore, me shpresën që kjo çështje të diskutohet në samitin e NATO-s. Presidenti amerikan Donald Trump tha se dëshiron një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund “vrasjeve të pakuptimta”. Gjermania vlerësoi se sulmi tregon mungesë vullneti për negociata nga ana e Vladimir Putin, ndërsa Franca kritikoi këmbënguljen e Moskës për të vazhduar luftën. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dënoi ashpër bombardimet dhe bëri thirrje për ulje të tensioneve dhe arritje të një armëpushimi.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmet ishin përgjigje ndaj, siç i quajti, “akteve terroriste” të Ukrainës dhe se objektivat ishin ndërmarrje të industrisë ushtarake dhe infrastruktura energjetike në Kiev dhe zonën përreth. Ndërkohë, Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj rafinerive dhe depove të karburantit në territorin rus, duke shkaktuar probleme furnizimi në disa zona të Rusisë.

