Një anije mallrash në pronësi turke, që transportonte drithë nga Ukraina drejt Italisë, u godit me dron dhe më pas u fundos pasi u përfshi nga zjarri. Dy marinarë humbën jetën, 11 u shpëtuan, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur. Anija “Royad Mammadov”, me flamur të Saint Kitts e Nevis, ishte nisur tri orë më parë nga porti ukrainas i Izmailit dhe po lundronte drejt Ravenës kur u godit rreth 20 milje nga brigjet rumune.
Shpërthimet u pasuan nga një zjarr i fuqishëm në bord, dhe autoritetet rumune nisën një operacion të gjerë shpëtimi me anije dhe helikopterë. Tre nga marinarët e shpëtuar, me trauma të shumta, u transportuan në spitalin e Konstancës dhe sipas njoftimeve ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar se kush qëndron pas sulmit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë, duke thënë se anija civile ishte goditur nga dy dronë rusë në ujëra neutrale; ai e përshkroi ngjarjen si një “sulm horror” dhe kërkoi rritjen e presionit ndaj Moskës për të garantuar sigurinë e lundrimit dhe të eksporteve ushqimore. Autoritetet dhe aktorët ndërkombëtarë ende nuk kanë dhënë konkluzione të pavarura për autorësinë e incidentit.
Ngjarja e fundit vjen pas një serie incidentesh me dronë pranë brigjeve rumune dhe rrit tensionet në Detin e Zi, i cili është një rrugë kyçe për eksportin e drithërave ukrainase drejt tregjeve ndërkombëtare. Ambasadori turk në Bukuresht, Özgür Kıvanç Altan, e përshkroi incidentin si “të trishtueshme dhe shqetësuese” dhe theksoi se Turqia mbështet sigurinë, stabilitetin dhe lirinë e lundrimit në Detin e Zi. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka reaguar më parë ndaj sulmeve ndaj anijeve civile në rajon, duke i cilësuar ato “të papranueshme”.
Në fund të shtatorit, u raportua gjithashtu një sulm në Detin e Zi ndaj anijes turke ‘Aroyat’, incident pas të cilit u bë i zhdukur inxhinieri i dytë në bord, shqiptari Erkan Nika.

