Një studim i publikuar në The Lancet paralajmëron se njerëzimi mund të përballet me rrezikun e zhdukjes deri në fund të këtij shekulli, si pasojë e përdorimit keqdashës të inteligjencës artificiale ose një konflikti bërthamor. Hulumtimi identifikon 17 kërcënime kryesore për shëndetin dhe mbijetesën njerëzore gjatë 75 viteve të ardhshme. Përveç inteligjencës artificiale dhe armëve bërthamore, në listë përfshihen kriza klimatike, pandemitë, ndotja e ajrit, rezistenca antimikrobike dhe kequshqyerja e fëmijëve. Lista gjithashtu përmend konfliktet konvencionale, reduktimin e ndihmës ndërkombëtare, konsumimin e tepërt të alkoolit, hipertensionin, pabarazinë e të ardhurave, nivelin e ulët arsimor, obezitetin, problemet e shëndetit mendor, duhanpirjen dhe plakjen e pashëndetshme.
Studimi thekson se këto kërcënime janë të ndërlidhura dhe mund të përforcojnë njëri-tjetrin, ndaj nuk mund të trajtohen të izoluara. Ekspertët kërkojnë masa të koordinuara dhe vendimmarrje të përgjegjshme në nivel ndërkombëtar për t’i adresuar ato. “Vendimet që marrin udhëheqësit sot do të formësojnë shëndetin dhe mirëqenien e brezit të ardhshëm,” deklaroi profesori Christopher Murray, bashkëkryetar i komitetit të The Lancet dhe drejtor i Institutit për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit.
Për të përcaktuar rreziqet, studiuesit analizuan tendencat aktuale dhe vlerësuan humbjen e viteve të jetës në gjendje të mirë shëndetësore për shkak të sëmundjeve, paaftësisë ose vdekjes së parakohshme që mund t’i atribuohet secilit kërcënim. Ndërsa probabiliteti i disa skenarëve më ekstremë mbetet i ulët, studimi paralajmëron se pasojat e tyre, nëse ndodhin, mund të jenë katastrofike dhe deri në shkallën e një kërcënimi ekzistencial për njerëzimin.
Përfundimet nxjerrin në pah nevojën për veprim të hershëm ndaj rreziqeve globale dhe theksojnë se politikat e ndërmarra sot do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë, shëndetin dhe cilësinë e jetës së brezave të ardhshëm.

