Studimi i ri tregon se bletët mund të përdorin mjete për të zgjidhur probleme të panjohura, duke sfiduar qëndrimet e mëparshme mbi kufizimet njohëse të insekteve. Eksperimentet, të drejtuara nga Dr. Olli Loukola nga Universiteti i Oulut në Finlandë, përdorën një variant të përshtatur të eksperimenti “kuti dhe banane”, ku bletëve u kërkohej të rrokullisnin një top polistireni në një pozicion të caktuar dhe më pas të ngjiteshin mbi të për të arritur një lule artificiale të vendosur në një tavan të ulët.
Bletët, disa javëshe, u trajnuan fillimisht të lidhnin një lule artificiale blu me një shpërblim në formën e ujit të sheqerosur. Gjatë testit, lulja u zhvendos në tavanin e një dhome transparente në një lartësi të paarritshme direkt, që i detyroi insektet të përdornin topin si mjet ndihmës. Në provën bazë, 75% e bletëve arritën të poziciononin topin dhe të merrnin shpërblimin.
Për të verifikuar nëse sjellja ishte e qëllimshme dhe jo rastësore, studiuesit zhvilluan versione më të vështira të eksperimentit. Në një nga provat më komplekse, lëvizja e lules u bë e padukshme për shkak të ndriçimit me dritë të kuqe, që kërkonte nga bletët të mbajnë mend vendndodhjen e objektivit. Nga 30 bletë të testuara, 23 arritën të poziciononin saktë topin, duke treguar aftësi të mbajtjes në kujtesë të vendndodhjes dhe përdorimit të mjetit për të arritur qëllimin.
Loukola vuri në dukje se rezultatet tregojnë se insektet nuk veprojnë thjesht mbi bazën e instinktivitetit ose provës dhe gabimit dhe se truri i vogël i bletëve mund të gjenerojë zgjidhje fleksibile për probleme të reja. Profesor Lars Chittka, ekolog sjelljeje në Universitetin Queen Mary të Londrës dhe autor i librit “Mendja e një Blete”, e cilësoi studimin si një nga demonstrimet më të qarta të inteligjencës së insekteve, duke theksuar se më parë bletët kanë treguar aftësi si numërimi dhe manipulimi i objekteve.
Shkencëtarët përfundimisht theksojnë se gjetjet sfidojnë idenë se inteligjenca kërkon domosdoshmërisht një tru të madh, dhe tregojnë se edhe sistemet nervore shumë të vogla mund të zhvillojnë sjellje komplekse dhe aftësi të avancuara për zgjidhjen e problemeve. Studimi është publikuar në revistën Science.

