Në zgjedhjet lokale të enjtes, e para provë e rëndësishme pas ardhjes në pushtet të Laburistëve afro dy vjet më parë, sondazhet parashikojnë një humbje spektakolare për partinë e kryeministrit Starmer. Të gjitha sondazhet tregojnë se partia anti-emigracion e Nigel Farage dhe të Gjelbrit e Polanksit, një i majtë i thekur, do të shkaktojnë një tërmet me një humbje neto prej rreth 1,850 vendeve në këshillat lokalë në të gjithë Britaninë. Parashikimet tregojnë gjithashtu se Laburistët mund të humbin Uellsin për herë të parë që nga 1999 dhe të bien në vendin e tretë në Skoci pas “Reformës” dhe Nacionalistëve skocezë.
Ky rezultat i pritshëm ka vendosur kryeministrin Starmer në një situatë mbijetese politike, të cilën media dhe rivalët e quajnë shpesh “Starmagedon”, dhe disa brenda partisë po i shkruajnë eulogjitë politike. Përkundër këtij presioni, përkrahësit e Starmerit përpiqen ta zvogëlojnë rëndësinë e akuzave duke i quajtur ekspedita peshkimi nga rivalët dhe media, dhe thonë se kryeministri nuk ka ndërmend të pranojë marrëveshje, pakte apo afate kohore për të lënë Downing Street.
Rivalët e Starmerit dhe mbështetës të ministrit aktual të Shëndetësisë, ish-zëvendëskryeministres së larguar për një aferë taksash, dhe kryebashkiakut të Mançesterit kanë përgatitur plane të avancuara, përfshirë edhe lista kabinetesh për kryeministra potencialë. Spekulimet përfshijnë edhe një riafrim të mundshëm me ish-zëvendëskryeministren Angela Rayner, e cila gëzon popullaritet në të majtën e qendrës së partisë, si pjesë e ndryshimeve të mundshme në kabinet në rast të një humbjeje të thellë.
Disa deputetë laburistë ndihen të kërcënuar në zonat e veta nga politika qeveritare dhe kërkojnë një ndryshim kursi, por megjithatë nuk besojnë se një garë e re e brendshme për kryeministrin është e pashmangshme. Në qarqet politike dhe mediatike përhapet mendimi se, edhe nëse Starmer nuk është kryeministri më i mirë për momentin, brenda laburistëve nuk ka një alternativë më të mirë; kjo lidhet edhe me staturën dhe rolin e tij ndërkombëtar, ku ai duket më i suksesshëm sesa në menaxhimin e çështjeve të brendshme.

