Kryeministri Edi Rama iu përgjigj publikisht një komenti të një qytetareje nga Tetova, e cila në rrjetet sociale i kërkonte dorëheqjen dhe kritikonin pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut në aktivitetet politike në Tiranë. Rama tha se nuk e njeh personalisht qytetaren, por se postimi i saj e nxiti të shprehej mbi një çështje që, sipas tij, po trajtohet gabimisht në debat publik.
Ai theksoi se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk mund të konsiderohen diasporë e Shqipërisë, sepse, së bashku me maqedonasit e veriut, janë popull shtetformues në vendin e tyre. Të njëjtin qëndrim shprehu edhe për shqiptarët e Kosovës, duke rikujtuar që ata kanë shtetin e tyre të pavarur dhe ndaj nuk janë diasporë. Rama sqaroi se diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo shqiptarët e Maqedonisë së Veriut apo ata të Kosovës.
Kreu i qeverisë kritikoi atë që e quan paraqitjen e disa grupeve nga Prishtina e Tetova si “diasporë”, me flamuj kombëtarë dhe plis të bardhë, duke i përshkruar si “ushtarë të verbër” dhe “viktima të zellshme” të sponsorëve politikë. Ai pyeti retorikisht nëse ata që i dërgojnë këto grupe në kryeqytet brengosen apo gëzohen kur i shohin si “hordhi pushtuese” që vjen për të rrëzuar qeverinë. Rama akuzoi sponsorët se po harxhojnë para duke dëmtuar imazhin kombëtar dhe ndërkombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës.
Ai deklaroi se qeveria dhe Partia Socialiste do të vazhdojnë të mbështesin me karburant, ushqim e qeleshe deri në përfundimin e “kontratës” së tyre me 856.177 shqiptarë, brenda e jashtë atdheut, deri në maj 2029. Rama dënoi përdhosjen e flamurit çlirimtar të UÇK-së, të përdorur sipas tij si “bajrak urrejtjeje” për rrëzimin e qeverisë, dhe përmendi një fragment nga veprat e Gjergj Fishtës.
Në një post scriptum ai kërkoi që të mos spekulohet duke lidhur shënimin me emrin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar që ta lënë jashtë “çorbës” dhe duke theksuar se çdo çadër politike përfshin edhe elementët problematikë të saj. Mesazhi i qytetares që nxiti reagimin përfshinte frazën: “Kryeministër, jep dorëheqje, na lër të qetë!” dhe një seri talljesh e kritika, duke përmendur përmbyllësisht edhe kujtimin e një restoranti në komunën e Zhelinës.

