Elisa Spiropali dhe Sali Berisha u përplasën në foltore të enjten në sallën e Kuvendit. Spiropali i drejtua Berishës me një sfidë, duke pyetur nëse është i gatshëm “të çlirojë opozitën” dhe “të hapë rrugë”. Ajo gjithashtu i drejtoi një mesazh Edi Ramës, duke thënë se protestuesit nuk duhet “as të linçohen dhe të akuzohen”, por se problemi duhet parë “në shtëpi”.
Në fjalën e saj Spiropali tha se ka folur për “vetëpastrim, për vetërregullim, për administratën”, për nevojën që të kuptohet se ky është “moment historik”, si dhe për më shumë përfaqësim brenda partive dhe për ndryshim të sistemit zgjedhor, që sipas saj ka prodhuar “një banalitet sot”. Ajo vuri në dukje se njerëzit janë të papërfaqësuar dhe në rrugë, pa “dehje ideologjike” por nga nevoja për të shpalosur veten. Po ashtu foli për institucionet shtetërore “që instrumentalizohen kundër njërit dhe tjetrit” dhe shprehu besimin se ekziston mundësia për ta ndryshuar këtë.
Duke iu drejtuar direkt Berishës, Spiropali e pyeti nëse ai ka fuqinë ta hapë rrugën dhe ta çlirojë opozitën e tij, të bëhet pjesë e një ndryshimi “që nuk i takon një partie por të gjithëve”. Ajo shtoi se asnjë sulm apo “bedel politik” nuk do ta ndalë, duke deklaruar se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se “askush që përdor pushtetin se mendon se mund të dëmtojë politikisht, njerëzisht, familjarisht dikë, nuk do ia dalë sepse do hiqet si apendicit”.
Përgjigjja e Berishës ishte: “Eliza, pëllumbesha në botë e çudirave nuk meriton asnjë përgjigje, kjo është replika që kam”.
Në një pjesë tjetër Spiropali theksoi se problemi kryesor është “mungesa e guximit” — civil dhe politik — dhe se analiza duhet nisur “nga vetja”, jo me akuzime ndaj protestuesve. Ajo përsëriti pyetjen nëse Sali Berisha ka fuqinë të ndryshojë sistemin elektoral që, sipas saj, e mban atë në krye të një partie “që e ka frikë”.

