Lamine Yamal dhe Mikel Oyarzabal nuk do të bashkohen me kombëtaren spanjolle dhe nuk do të udhëtojnë në Pragë për ndeshjen me Çekinë në Nations League më 12 nëntor. Sulmuesi i Barcelonës, Lamine Yamal, shfaqi shqetësime në gju pas një goditjeje të marrë gjatë ndeshjes kundër Atletico Madrid; pas testeve mjekësore u vendos që ai të qëndrojë në Barcelonë për të vijuar procesin e rikuperimit. Yamal ishte i vetmi nga futbollistët e Barcelonës të grumbulluar nga trajneri Luis De la Fuente që u kthye në Katalonjë, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës qëndruan në Madrid.
Vendimi për të mbajtur Yamalin në klub u mor në mënyrë konsensuale dhe është miratuar si nga Barcelona ashtu edhe nga Federata Spanjolle; mjekët e të dyja palëve janë në kontakt të vazhdueshëm për ndjekjen e gjendjes së tij. 19-vjeçari pritet të bashkohet me La Roja në ditët në vijim në mënyrë që të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Anglisë, që do të luhet në Metropolitano të dielën, më 15 nëntor. Sipas parashikimeve, ai mund të jetë me skuadrën të premten e ardhshme, por gjithçka do të varet nga evolucioni i gjendjes së tij fizike.
Përsa i përket Mikel Oyarzabal, sulmuesi i Real Sociedad po rimëkëmbet nga një gjendje gripale dhe do të vijojë kurën në San Sebastian. Gjendja shëndetësore e tij, si dhe pritja për të bërë baba, e vënë në dyshim praninë e tij në ndeshjen me Anglinë.

