Belinda Balluku dhe avokati i saj, Ardian Kalia, janë paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku prokurorët i kanë komunikuar vendimin për mbylljen e hetimeve. Gazetarja Anila Hoxha raporton se numri i personave të marrë si të pandehur në këtë çështje është i lartë.
Javën e kaluar Ballukut i ishin komunikuar akuzat dhe vendimi për zgjatjen e hetimeve. Në paraqitjen e sotme në SPAK, ajo u njoh me vendimin për përfundimin e fazës hetimore. Më 20 tetor, kur përfundoi afati i zgjatur i hetimeve, ish-zëvendëskryeministres i ishin komunikuar akuzat nga Prokuroria e Posaçme, si dhe vendimi për zgjatjen e afatit të hetimeve.
Balluku akuzohet për disa vepra penale të rënda, për të cilat Prokuroria citon nene të ndryshme të Kodit Penal. Midis akuzave janë: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në nëntë raste, parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal; “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259; dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260. Ajo akuzohet gjithashtu për “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive dhe interesave privatë”, në dy raste, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i dytë, si dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, në rrethana cilësuese, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, lidhur me dy pasuri të paluajtshme, parashikuar nga neni 287, paragrafi 2.
Sipas Anila Hoxhës, Balluku nuk ka pranuar të japë shpjegime gjatë paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme.

