Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykim në procedimin penal nr. 280/1 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve: Erion Isai, kryetar i Bashkisë Kolonjë, i akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” (nenet 248 e 25, 258 e 25 të Kodeksit Penal); Eljona Mydini, ish-zëvendëskryetare e Bashkisë Kolonjë (neni 248 e 25); Ergys Verdho, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (neni 248 e 25); Erald Elezi, ish-Drejtor i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve pranë ARSh (neni 248 e 25); Genti Raça, përgjegjës sektori preventivit pranë ARSh (neni 248 e 25); Donikë Shehu, ish-specialiste e nivelit të lartë pranë ARSh (neni 248 e 25); Donika Klarita Konomi dhe Nikollaq Mihali, specialistë pranë ARSh (neni 258, 25); Erdit Salillari, përgjegjës i hartimit të projekteve të huaja pranë ARSh (neni 258, 25); Erjon Cenko, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, punonjës të Bashkisë Kolonjë, të akuzuar për “Falsifikim dokumentesh” dhe “Shkelje të barazisë” (nenet 186/2, 258 e 25); Armand Tafil, Muharrem Tartari, Shpëtim Liço, punonjës të Bashkisë Kolonjë (neni 258, 25); dhe Entela Çano, administratore e shoqërisë “A & E Enginieering” sh.p.k., e akuzuar për “Falsifikim dokumentesh” (neni 186/2).
Nga veprimet hetimore rezultuan fakte penale për personat përgjegjës të autoritetit kontraktor dhe institucioneve shtetërore në disa procedura prokurimi të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Bashkisë Kolonjë.
1) Procedura “Ndërtimi i rrugës Korçë–Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”, fond limit 2,879,999,858.89 lekë me TVSH (24.09.2020): hetimet konstatuan se Bashkia Kolonjë nuk dispononte projektuesimin e paraqitur si nismë, ndërsa procesverbali i marrjes në dorëzim të projektit rezultoi i falsifikuar nga grupi i punës i Bashkisë (Erjon Cenko, Engjëll Dine) së bashku me Entela Çano. Përcaktimi i fondit limit nga Ergys Verdho, Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu nuk ndiqte rrugën ligjore; preventivi u përgatit pa projekt të Bashkisë dhe mbi të dhëna dorëzuar nga Entela Çano, e cila më pas fitoi kontratën e mbikëqyrjes. Ekspertimi teknik dhe kontabël gjeti se fondi ishte fryrë me 590,213,874 lekë, si dëm ekonomik për shtetin.
2) Procedura “Supervizim i punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë, loti i 2”, fond limit 22,704,145 lekë (14.10.2020): anëtarët e komisionit të vlerësimit (Erdit Salillari, Klarita Konomi, Niko Mihali) vepruan në kundërshtim me ligjin e prokurimit, duke krijuar avantazhe për shoqërinë “A & E Engineering” sh.p.k.
3) Procedura “Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë…”, fond limit 4,623,021.7 lekë (06.10.2020): anëtarët e komisionit për përllogaritjen e fondit limit dhe specifikimeve teknike (Muharrem Tartari, Engjëll Dine, Ermal Zylfo), në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor Erion Isai, vepruan në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit për të favorizuar shoqërinë fituese “A & E Engineering” sh.p.k., duke u bazuar në oferta fiktive dhe specifikime të përgatitura nga Entela Çano. Anëtarët e njësisë së prokurimit (Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço) bashkë me Isai miratuan dokumentet standarde të tenderit me kritere të përcaktuara nga shoqëria fituese. Top Channel.

