SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 15 të pandehur, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal. Hetimet dokumentojnë se grupi ka organizuar trafikimin e drogës nga vendet e Amerikës Latine—përfshirë Brazilin, Ekuadorin dhe Kolumbinë—si dhe nga Spanja dhe Maroku drejt disa vendeve evropiane, përfshirë Italinë, Belgjikën, Holandën dhe Spanjën. Në total, hetimet kanë dokumentuar trafikimin e 8.126 kilogramësh lëndë narkotike: 7.261 kg kokainë, 590 kg hashash dhe 275 kg kanabis.
Sipas dosjes hetimore, të pandehurit kanë koordinuar aktivitetin kriminal edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC, të cilat janë siguruar nga autoritetet franceze në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. SPAK identifikon si drejtues dhe financues të grupit Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku, Nazmi Shahini, Devid Patrut, Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej; pjesa tjetër e të pandehurve akuzohen si pjesëmarrës në organizatë.
Përveç akuzave për trafik ndërkombëtar droge dhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale të strukturuar, disa prej të pandehurve përballen edhe me akuza për armëmbajtje pa leje dhe për futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e hetimeve për tre persona. Për një nga episodet që i atribuohej Devid Patrutit është zbatuar parimi “ne bis in idem”, pasi ai ishte dënuar më herët nga autoritetet belge për të njëjtën vepër penale. Për Ilir Lloshin dhe Julian Pjetrin SPAK konkludoi se nuk u provua ekzistenca e veprës penale.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë së Francës, Spanjës, Belgjikës, Britanisë së Madhe, Holandës, Brazilit, Italisë dhe Ekuadorit, si dhe me Byronë Kombëtare të Hetimit, Europol dhe Eurojust.

