Operacioni policor i koduar “Muri i Lartë” u finalizua nga strukturat operacionale dhe hetimore të Policisë së Shtetit nën drejtimin e SPAK, duke vepruar në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe të vendimit të Gjykatës. Në operacion morën pjesë Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, DVP Shkodër dhe BKH. Qëllimi i operacionit ishte ekzekutimi i masës së sigurimit personal ndaj një personi dhe kryerja e kontrolleve për lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi tjetër të shpallur në kërkim.
Si rezultat i këtij operacioni në Shkodër u kap dhe arrestua shtetasi Bledar Cafi, 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, i cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kapja dhe arrestimi i tij u realizuan në orët e para të mëngjesit në banesën e tij në Shkodër. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim të datës 25.09.2026, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Po në zbatim të vendimit të GJKKO-së, gjatë operacionit u ushtruan kontrolle në vendet që i përkasin shtetasit në kërkim Endrit Dokle, 43 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Ky shtetas është në kërkim që prej vitit 2024, ndërsa GJKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për të njëjtat vepra penale: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Gjatë kontrolleve Endrit Dokle nuk u gjet; vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Top Channel

