Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare që nis në orën 10:00 dhe pritet të zgjasë më shumë se zakonisht. Rendin e ditës e hap një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj, e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Në axhendë janë projektligje për sektorin e bujqësisë, menaxhimin e kimikateve, akuakulturën dhe mbrojtjen e tokës bujqësore, të cilat do të diskutohen dhe mund të miratohen në seancë. Deputetët po ashtu do të shqyrtojnë marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit teknik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe një marrëveshje huaje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Kjo e fundit synon rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë–Durrës dhe zgjerimin e projektit me ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Në seancë do të diskutohet edhe projektligji për ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, si dhe ndryshime në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë”. Në axhendë është përfshirë edhe emërimi i një anëtari të Këshillit të Statistikave.
Një pjesë e konsiderueshme e seancës i kushtohet miratimit të projektrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura për vitin 2025. Institucionet që do të vlerësohen përfshijnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Bankën e Shqipërisë, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Institutin e Statistikave (INSTAT), Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH), Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA), Entin Rregullator të Energjisë (ERE), Entin Rregullator të Ujit (ERRU) dhe Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Mbetet për t’u parë nëse do të ketë protesta para Kuvendit, pasi kjo është seanca e fundit për këtë sezon parlamentar. Në dy seancat e fundit opozita ka bojkotuar me mosprezencën e saj, dhe pritet të shihet nëse do të marrë pjesë sot. Në prapaskenë përmenden përplasje mes deputetëve që kanë kundërshtuar bojkotin.

