Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi mëngjesin e sotëm nga zyra e Ministrisë se shkollat janë të hapura dhe në funksion të plotë. Ajo bëri me dije se punonjësit e ministrisë nuk kanë ndaluar punën asnjë ditë, qoftë fizikisht, qoftë online, edhe pse një pjesë e zyrave janë dëmtuar. Gjatë fundjavës, tha Kumbaro, stafi ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me sistemin arsimor për të siguruar rifillimin e mësimit në të gjitha shkollat.
Sipas ministres, mësimi ka nisur këtë të hënë në mbi 1,400 shkolla në gjithë Shqipërinë. Ajo nënvizoi se mësuesit, drejtuesit, oficerët e sigurisë dhe punonjësit socialë i presin nxënësit me krahëhapur dhe se të gjithë janë në krye të detyrës. Kumbaro shprehu mirënjohje të thellë për përkushtimin dhe kohën që mësuesit kanë dhënë, përfshirë komunikimin me prindërit.
Duke iu drejtuar prindërve, ministrja i ftoi të kenë besim te mësuesit dhe të flasin me fëmijët e tyre. Ajo theksoi se çdo orë e humbur për shkak të dhunës apo çdo minutë që fëmijët kalojnë duke parë vandalizmat e postuara në rrjetet sociale përbën kohë të humbur nga jeta e tyre, ndërsa koha e tyre duhet të jetë për edukim. Kumbaro ripërsëriti se shkollat janë të hapura dhe në funksion të plotë.
Ministrja u drejtua edhe te studentët, duke i ftuar për dialog dhe duke thënë se gjatë gjithë këtij viti ka qenë në komunikim edhe individual me ta. Ajo garantoi se dera e Ministrisë është e hapur, ashtu si dhe zemra e punonjësve të saj, dhe theksoi se puna bëhet me zemër dhe dëshirë për të ecur përpara. Kumbaro shprehu gatishmërinë për t’u ulur së bashku me studentët në çdo çast për të përmirësuar gjithçka që duhet bërë.

