Brescia – Pas përfundimeve të hetimeve komplekse të policisë italiane në bashkëpunim me Europol, Drejtorinë Qendrore të Shërbimeve Kundër Drogës, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, forcave policore shqiptare, polake dhe zvicerane dhe me mbështetjen e Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim Gjyqësor (Eurojust) po ekzekutohen në Itali, Shqipëri, Zvicër dhe Poloni masa sigurie ndaj 61 personave nën hetim për krijimin e një grupi kriminal me qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës.
Grupi dyshohet se ka pastruar miliona euro nga aktiviteti i paligjshëm.
Ndaj personave nën hetim janë lëshuar urdhra për sekuestrim të pasurive me vlerën totale mbi 60 milionë euro.
Hetimet janë shtirirë në harkun kohor të 4 viteve, nga viti 2020 deri në 2024.
Aktiviteti i paligjshëm i grupit kriminal u zbulua pas zbërthimit të bisedave të koduara të SKY ECC dhe nga përgjimet telefonike.
Grupi kriminal, me qendër në Shqipëri dhe me degë në territorin italian, importonte lëndën narkotike nga Amerika e Jugut në Evropë nëpërmjet rrugëve tregtare të transportit detar dhe më pas e çonte në Itali nëpërmjet Spanjës dhe Holandës.
Sasitë e mëdha të kokainës, sapo futeshin në vend, ruheshin për shpërndarje të mëvonshme në 5 baza logjistike-operative, të ngritura nga grupi kriminal dhe të vendosura kryesisht në Brescia dhe në komuna të tjera në Italinë qendrore-veriore (Varese dhe Piza).
Brenda qendrave të sipërpërmendura, menaxherët grumbullonin paratë e përfituara nga shitja e lëndës narkotike dhe më pas ia dorëzonin një grupi paralel italo-kineze, e cila ofronte një shërbim të fshehtë bankar për transferimin e kapitalit të paligjshëm jashtë vendit.
Mediet italiane raportojnë se në kuadër të këtij operacioni tashmë janë arrestuar në flagrancë 21 persona të organizatës kriminale dhe janë sekuestruar rreth 2 milionë euro cash, 5 pistoleta dhe municione, 8 makina dhe 360 kg lëndë narkotike e cila nëse do të hidhej në treg mund të kishte sjellë rreth 30 milionë euro fitime.