Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi takime me strukturat e Policisë në Elbasan, Berat dhe Kukës, me fokus sigurinë në shkolla, parandalimin e krimit dhe reagimin e shpejtë ndaj shqetësimeve të qytetarëve. Hita kërkoi angazhim maksimal për parandalimin e ngjarjeve kriminale, ndjekjen e konflikteve dhe trajtimin e denoncimeve të qytetarëve, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo merren me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua përgatitjes për nisjen e procesit të ri mësimor; Hita kërkoi që shërbimet e Policisë të bashkëpunojnë ngushtë me oficerët e sigurisë në shkolla për të garantuar një mjedis të sigurt për nxënësit. Shefat e komisariateve u porositen të ndjekin situatën çdo ditë dhe të trajtojnë drejtpërdrejt çdo shqetësim që lidhet me sigurinë e nxënësve. Në perimetrin e shkollave do të vihen në përqendrim edhe strukturat e antidrogës, grupet “Shqiponjat” dhe shërbimet operacionale, me qëllim parandalimin e shitjes së drogës dhe të konflikteve mes nxënësve.
Përveç sigurisë në shkolla, Hita theksoi nevojën për intensifikimin e kontrolleve të sigurisë rrugore. Ai kërkoi monitorim më të shtuar të qarkullimit dhe përdorimin e mjeteve inteligjente për parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkeljeve të rregullave të trafikut. Po ashtu u kërkua që drejtuesit vendorë të Policisë të mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për situatën e sigurisë në territorin që mbulojnë dhe të reagojnë shpejt ndaj problematikave që dalin.
Një tjetër porosi e Drejtorit ishte forcimi i komunikimit me qytetarët: drejtuesit e komisariateve dhe të qarqeve duhet të presin dhe dëgjojnë qytetarët për problematikat që lidhen me Policinë. Takimet e Drejtorit të Përgjithshëm do të vazhdojnë edhe në drejtoritë e tjera vendore të Policisë dhe në strukturat e Kufirit dhe Migracionit.

