Sipas dosjes së Prokurorisë së Tiranës, të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, ka përfunduar hetimi ndaj tre personave të përfshirë në një skemë mashtrimi përmes një “call center”-i në zonën e Selitës. Prokuroria ka kërkuar dërgimin në gjyq të Klaudio Sulejmenit dhe Franko Karemanit, të akuzuar për “Mashtrim kompjuterik”, si dhe të Eriglen Arapit, të akuzuar për “Moskallëzim krimi”.
Sipas hetimeve të prokurorit Bledar Valikaj, aktiviteti dyshohet të ishte zhvilluar në një ambient në rrugën “Zalli”, Selitë. Më 10 nëntor 2025 policia ushtroi kontroll në vend pas informacioneve operative për një call center të dyshuar si i paligjshëm. Në ambient u gjetën disa persona të ulur në poste pune të përshtatura si zyra, me kompjutera dhe pajisje elektronike. Gjatë kontrollit u sekuestruan 9 njësi qendrore kompjuterike, 2 laptopë, 2 telefona celularë dhe dokumente të tjera që u administruan si prova materiale.
Nga dosja rezulton se punonjësit kontaktonin shtetas të huaj, të cilëve u premtohej rikthimi i parave të humbura nga investimet online, një proces i përshkruar si “Recovery”. Sipas dëshmive të administruara, agjentët merrnin informacion nga klientët për humbjet financiare, platformat ku kishin investuar dhe kompanitë me të cilat kishin bashkëpunuar më parë. Më pas këto raste i kalonin personave që prezantoheshin si ekspertë për të vijuar komunikimin dhe për të bindur klientët për rikthimin e fondeve.
Në dosje një nga punonjëset ka deklaruar se procesi i punës i ishte shpjeguar nga Klaudio Sulejmeni dhe Franko Karemani. Ajo ka pohuar se detyra e saj ishte të kontaktonte klientët, të mblidhte informacion mbi situatën e tyre dhe t’ua kalonte rastet dy të dyshuarve. Sipas hetimeve, Klaudio Sulejmeni dyshohet se organizonte punën dhe koordinonte procesin, ndërsa Franko Karemani dyshohet të ishte i përfshirë në vijimin e komunikimeve me klientët.
Prokuroria pretendon se Eriglen Arapi kishte dijeni për natyrën e aktivitetit dhe nuk e kishte kallëzuar atë; ai në deklarimet e tij ka mohuar rol në aktivitet, duke thënë se ishte aty vetëm për të takuar Sulejmenin. Procedimi penal është regjistruar pas referimit të policisë gjyqësore dhe çështja do të shqyrtohet nga gjykata. Sipas ligjit, të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.

