Universiteti i Harvardit arriti marrëveshjen prej 53 milionë dollarësh për t’i dhënë fund një serie padish të ngritura nga familjarët e personave që kishin dhuruar trupat e tyre për qëllime mjekësore dhe shkencore. Paditë lidhen me një skandal në Shkollën Mjekësore të Harvardit ku familjarët akuzuan institucionin për neglizhencë dhe keqtrajtim të trupave të të afërmve të tyre.
Skandali u bë publik pas zbulimit të veprimeve të ish-drejtorit të morgut të Harvardit, Cedric Lodge, i cili shfrytëzoi pozicionin e tij në Programin e Dhurimit Anatomik. Autoritetet thonë se midis viteve 2018 dhe 2021 Lodge nxori organe nga trupat e dhuruar për qëllime edukative dhe kërkimore dhe i kanalizoi për t’i shitur online në tregun e zi. Lodge u përfshi së bashku me gjashtë persona të tjerë jashtë universitetit; ai u dënua me tetë vjet burg, gruaja e tij me një vit e një ditë burg, dhe personat e tjerë të përfshirë pranuan fajësinë në vitin 2025.
Fillimisht, paditë civile të familjeve kundër Harvardit u rrëzuan, por Gjykata Supreme e Masaçusetsit i riktheu ato, duke argumentuar se universiteti kishte anashkaluar shkeljet e kryera nga Lodge për një periudhë të gjatë. Sipas marrëveshjes së paraqitur në një gjykatë në Boston, Harvard do të krijojë fonde kompensimi me vlerë miliona dollarë për familjarët e personave të prekur.
Në një letër të përbashkët, dekani i Shkollës Mjekësore të Harvardit, George Daly, dhe dekani i arsimit mjekësor, Bernard Chang, i cilësuan veprimet e Lodge si “moralisht të dënueshme dhe në kundërshtim me standardet e institucionit”. Përveç kompensimit financiar, universiteti njoftoi krijimin e një bursa vjetore për studentët e mjekësisë, që do të nisë në vitin akademik 2027–2028, në nderim të dhuruesve të trupave për edukimin dhe kërkimin shkencor.
Universiteti theksoi se, megjithëse marrëveshja i jep fund procesit ligjor, procesi i shërimit për familjet e prekura dhe komunitetin akademik do të jetë i gjatë.

