TIRANË- Pas disa vitesh hetime, Prokuroria e Tiranës ka finalizuar një valë të parë arrestimesh në lidhje me skandalin e mikrokredive, duke lëshuar masa sigurie për 9 persona, që përmes 5 kompanive kanë zhvatur mijëra qytetarë. Prokuroria vlerëson se ka pasur një skemë mashtrimi dhe në mënyrën e përllogaritjes së kredive me interesa të larta, që merren pa kolateral, dhe më pas shërbejnë për t’iu bllokuar pronat qytetarëve. Prokurorët që kanë ndërmarrë hetimet dyshojnë që llogaritjet e kamatëvonesave të debitorëve bëheshin në mënyrë mashtruese.
“Këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 lekë,” vërejnë prokurorët, në njoftimin e dhënë për mediat.
Ndërsa cilësojnë edhe një rast, se si një qytetari i janë bllokuar 14 pasuri të paluajtshme, për një kredi prej 350 mijë lekësh.
“Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi”, vëren prokuroria.
Po ashtu në dosjen e prokurorisë bëhej e qartë se si MCA detyronte qytetarët të merrnin kredi të dyta, për të hequr masën e sekuestros nga pronat.
“Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera,” deklaroi prokuroria në një njoftim për shtyp.