Mbi 60% e grave që shërbejnë në ushtrinë gjermane kanë përjetuar ngacmime ose abuzime seksuale gjatë shërbimit, zbulon studimi i parë gjithëpërfshirës për këtë fenomen në Bundeswehr, i realizuar nga Qendra për Historinë Ushtarake dhe Shkencat Sociale në Potsdam. Anketimi përfshiu rreth 4 mijë gra që morën pjesë; nga 45 mijë pjesëtarë aktualë dhe ish-pjesëtarë të kontaktuar për studimin, rreth 18% iu përgjigjën.
Studimi konstaton një gamë sjelljesh të papërshtatshme, që variojnë nga komentet me përmbajtje seksuale dhe sjelljet poshtëruese, deri te sulmet fizike dhe dhuna seksuale. Pothuajse 40% e grave të anketuara deklaruan se ishin përballur me komente sugjestive dhe shprehje seksuale. Rreth 15% raportuan ngacmime përmes fotografive të marra me celular pa pëlqimin e tyre, disa prej të cilave ishin manipuluar edhe me inteligjencë artificiale. Pak më shumë se 8% thanë se kishin përjetuar sulme fizike, ndërsa 2% raportuan se kishin qenë viktima të dhunës seksuale.
Problemi prek edhe ushtarët meshkuj: rreth 19% e tyre deklaruan se kishin përjetuar forma të ngjashme të sjelljeve të papërshtatshme seksuale. Studimi vëren se ushtarët homoseksualë dhe personat jobinarë janë të prekur në mënyrë disproporcionale.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, cilësoi rezultatet si “të papranueshme” dhe premtoi një politikë të tolerancës zero ndaj çdo forme të sjelljes së papërshtatshme, duke paralajmëruar masa më të forta për mbrojtjen e personelit. Ai theksoi shqetësimin se një pjesë e konsiderueshme e viktimave nuk kanë besim te mekanizmat e raportimit: rreth një e treta e të anketuarve thanë se nuk i kishin denoncuar ose nuk do t’i denonconin incidentet, sepse dyshonin se eprorët nuk do të ndërmerrnin veprime konkrete.
Për të lehtësuar raportimin, ministria ka krijuar linjën telefonike HELP për mbështetje, dhe Pistorius premtoi informim më të mirë të viktimave për ecurinë e hetimeve dhe procedurave disiplinore. Ai njoftoi se studimi do të përsëritet çdo vit dhe kundërshtoi sugjerimet e disa kolegëve për të mos e publikuar. Publikimi vjen ndërsa Gjermania synon rritjen e forcave të armatosura deri në 260 mijë ushtarë aktivë dhe 200 mijë rezervistë deri në 2035, dhe investon miliarda euro për personelin dhe pajisjet; sipas ministrit, një përqindje më e lartë e femrave në njësi shoqërohet me më pak raste ngacmimesh, çka thekson nevojën për rekrutim më të madh të grave.
