Autoritetet greke zbuluan brenda pak ditësh dy skandale të mëdha evazioni fiskal që përfshijnë rrjete me xhiro miliona euro: furrat e bukës “Horiatiko” dhe piceritë “Pizza Fan”. Në të dy rastet, drejtuesit dyshohen se nuk i paguanin shtetit TVSH-në që ua merrnin klientëve, por mekanizmat e përdorur ndryshonin.
Në rastin e “Horiatiko” hetuesit thonë se për aktivitetin përdorej një zinxhir kompanish me persona që figuronin si administratorë fiktivë, ndërsa drejtuesit e vërtetë qëndronin në hije. Bizneset punonin, shisnin dhe grumbullonin detyrime ndaj tatimeve dhe sigurimeve shoqërore, por këto detyrime mbaheshin të papaguara, dhe aktiviteti vazhdonte përmes kompanive të reja. Shteti i kërkonte paratë personave që shfaqeshin në dokumente. Sot policia greke arrestoi pronarin e furrave “Horiatiko” dhe një kontabilist që dyshohet se organizonte skemën; sipas televizionit publik ERT, numri i të arrestuarve ka kaluar mbi 50 persona, ndërsa kontrollet shtrihen në qindra biznese. Vlerësimet paraprake flasin për rreth 100 milionë euro dëm dhe detyrime të papaguara, përfshirë sigurimet shoqërore dhe biznese të tjera të pronarit, përtej rrjetit të furrave.
Tek “Pizza Fan” mekanizmi dyshohet të ketë qenë tjetër: klienti porosiste dhe paguante me para në dorë, por një program kompjuterik lejonte që porosia të regjistrohej si “qerasje” — pra, për tatimet dukej se produkti ishte dhënë falas. Kështu, pjesë e shitjeve me para në dorë nuk deklaroheshin dhe TVSH-ja nuk derdhej në shtet. Hetuesit vlerësojnë se dëmi fillestar nga TVSH-ja e papaguar është të paktën 25 milionë euro. Kompania kundërshton këtë përshkrim, thotë se ofertat me produkte falas mund të kenë krijuar paqartësi në llogaritjen e xhiros dhe deklaron se do të bashkëpunojë me drejtësinë.
Hetimet vazhdojnë në të dy dosjet: në njërën ndjekin gjurmët e borxheve që mbeteshin te kompanitë “në letra”, në tjetrën gjurmët e shitjeve që zhdukeshin në kompjuter. Ndërprerja e shërbimit tek Pizza Fan ka krijuar pasiguri për mbi 2.500 punonjës; kompania thotë se kërkon të rikthejë sa më shpejt funksionimin e dyqaneve dhe të mbrojë vendet e punës. Hetimet synojnë të përcaktojnë sasinë e parave që i mungojnë shtetit dhe kush mban përgjegjësi.

