Ish-ylli i futbollit francez Samir Nasri kaloi rreth 10 orë në paraburgim të policisë franceze si pjesë e një hetimi gjyqësor të zgjeruar për pastrim parash, trafik droge dhe pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal. Sipas Le Parisien, 39-vjeçari u mor në pyetje nga Brigada e Hetimeve Financiare në Paris në kuadër të procedimit që heton një rrjet të dyshuar të importimit të lëndëve narkotike dhe pastrimit të të ardhurave të përfituara nga aktivitetet kriminale.
Në qendër të hetimit janë dy emra të përmendur qartë nga media: Karim Berrebouh, i konsideruar një trafikant i njohur droge nga Marseja dhe i burgosur që prej vitit 2021, dhe Olivier Sabbah, i dyshuar si një nga organizatorët kryesorë të skemës së pastrimit të parave. Emri i Nasrit u përfshi në hetim për shkak të lidhjes së tij me klubin e natës “XS” në Ivry-sur-Seine, ku ai ka qenë pronar dhe administrator dhe u bë aksionar rreth vitit 2016. Hetuesit po verifikojnë veçanërisht nëse lokali ka shërbyer në ndonjë mënyrë brenda skemës së dyshuar të pastrimit të parave.
Pas marrjes në pyetje, ish-mesfushori i Arsenalit, Manchester Cityt, Olympique Marseille dhe i kombëtares franceze u lirua pa asnjë akuzë apo masë ligjore ndaj tij. Megjithatë autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të thirret përsëri nëse hetimet sjellin prova të reja. Hetimi gjyqësor ka natyrë të gjerë dhe synon të ndjekë rrjetin e importimit të drogës dhe më pas trafikun financiar që mund ta shoqërojë atë.
Përveç hetimit penal, Nasri është në vëmendjen edhe të administratës tatimore franceze. Ai deklaron se është rezident tatimor në Dubai, ku taksat mbi të ardhurat janë minimale, por autoritetet franceze dyshojnë se ai ka jetuar realisht në Paris. Sipas një investigimi të publikuar nga Les Échos, dyshimet u forcuan kur u zbulua se në adresën e tij në Paris janë bërë mbi 200 porosi ushqimi përmes aplikacionit Deliveroo, një fakt që administrata fiskale e konsideron si tregues të mundshëm të qëndrimit të tij të vazhdueshëm në Francë.

