Një tjetër tender i dyshimtë në Bashkia Himarë po ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si po shpërndahen fondet publike. Bëhet fjalë për procedurën me objekt “Rikonstruksioni i rrugës Shën e Premtja Lukovë”, me fond limit 8.3 milionë lekë, ku fitues është shpallur NIKA SHPK me ofertë 7.7 milionë lekë pa TVSH.
Por ajo që e bën këtë tender të dyshimtë është fakti se janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues, duke lënë në garë vetëm kompaninë fituese. Në procedurë morën pjesë katër kompani: JODY-KOMPANY SHPK, FLED SHPK, NIKA SHPK dhe APIS CONSTRUCTION SHPK. Në fund, të gjitha ofertat u eliminuan përveç “NIKA”-s.

Dyshimet shtohen edhe më shumë nga fakti se është skualifikuar oferta me vlerën më të ulët, një praktikë që prej vitesh është kthyer në skemën klasike të tenderëve të paracaktuar. Fillimisht futen disa operatorë në garë për të krijuar idenë e konkurrencës, më pas eliminohen me kritere teknike apo dokumentare, ndërsa fituesi mbetet i vetëm në tavolinë.
Procedura “e hapur e thjeshtuar” po përdoret gjithnjë e më shpesh nga pushteti vendor për të kaluar fonde publike me garë minimale dhe transparencë të dyshimtë. Në këtë rast, tenderi u shpall më 24 dhjetor 2025 dhe dokumentet u dorëzuan më 5 janar 2026, një periudhë festive ku pjesëmarrja reale dhe konkurrenca efektive kufizohen ndjeshëm.
Pyetja që shtrohet është: pse u skualifikuan të gjithë operatorët e tjerë? Cilat ishin arsyet konkrete? A kemi të bëjmë me shkelje të barazisë në tenderim dhe favorizim të një kompanie të paracaktuar?
Në çdo shtet normal, kur eliminohen të gjithë konkurrentët dhe mbetet vetëm fituesi, institucionet e kontrollit do të nisnin menjëherë verifikimet për manipulim të procedurës. Sepse kur gara zhduket, zhduket edhe besimi se fondet publike po administrohen në interes të qytetarëve dhe jo të klientëve të pushtetit.

