Nëntë persona që ishin pjesë e shoqëruesve të një delegacioni zyrtar nga Somalia rezultojnë të zhdukur pas vizitës në Kosovë, njofton media somaleze “Garowe Online”. Delegacioni mbërriti në Kosovë më 25 tetor 2026 dhe ishte i udhëhequr nga ministri i Shtetit për Punët Publike, Strehimin dhe Rindërtimin, Said Mohamed Mohamud, si dhe zëvendësministrja e Porteve, Fartuun Abdikadir Farah. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, nëntë anëtarët shoqërues dolën nga akomodimi i tyre në Dua Village pa njoftuar autoritetet përgjegjëse për shoqërimin e tyre.
Sipas një dokumenti diplomatik të cituar nga “Garowe Online”, largimi është konstatuar më 28 tetor, ndërsa personat kishin lënë hotelin një mbrëmje më parë rreth orës 19:10. Ata nuk u paraqitën në terminalin VIP të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ku ishte planifikuar nisja e delegacionit. Tre ditën e largimit, drejtuesit e delegacionit, Said Mohamed Mohamud dhe Fartuun Abdikadir Farah, u larguan nga Kosova më 28 tetor.
Për shkak të mungesës së informacionit, Ministria e Jashtme e Kosovës i dërgoi më 30 tetor një notë verbale diplomatikë qeverisë somaleze, duke kërkuar sqarime për vendndodhjen, sigurinë dhe statusin e nëntë personave. Autoritetet kosovare kanë konfirmuar vetëm që ata janë larguar nga akomodimi në Prishtinë dhe se nuk kanë mundur të përcaktojnë nëse personat kanë lënë përfundimisht territorin e Kosovës.
Rasti ka shkaktuar edhe pasoja politike në Somali. “Garowe Online” raporton se dy ministra në qeverinë federale somaleze janë shkarkuar pas dyshimeve se kanë lehtësuar udhëtimin e nëntë personave kundrejt pagesave. Raportohet se disa prej personave mund të kenë paraqitur veten si punonjës të administratës shtetërore për t’u përfshirë në delegacion dhe për të marrë viza udhëtimi. Media saktokon se këto pretendime nuk përfshihen në komunikimin zyrtar të Kosovës dhe nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Burime të cituara nga media somaleze pretendojnë gjithashtu se nëntë personat mund të kenë vazhduar udhëtimin drejt vendeve të tjera dhe të kenë kërkuar azil, por destinacioni dhe statusi i tyre aktual nuk janë verifikuar. Prishtina pret përgjigje nga autoritetet somaleze për fatin dhe rrethanat e largimit të tyre, ndërsa rasti ngre pikëpyetje mbi përzgjedhjen e anëtarëve të delegacioneve zyrtare.

