Një kompani me seli në Cinisello Balsamo është vënë nën hetime nga Prokuroria e Milanos për akuzat e favorizimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit dhe pastrimit të parave. Sipas hetimeve, kompania organizonte festa që kushtonin mijëra euro, dhe paketat e ofruara përfshinin edhe praninë e vajzave. Mes klientelës rezultojnë edhe disa futbollistë të Serie A, të cilëve, sipas hetuesve, u ofroheshin „shërbime pas ndeshjes” që përfshinin një paketë të plotë: mbrëmje në lokal, hotel dhe eskortë, me kosto prej mijëra eurosh.
Gjyqtarja Chiara Valori ka firmosur katër urdhra arresti shtëpiak ndaj një organizate që, sipas hetimeve, ka kryer aktivitete të shfrytëzimit dhe favorizimit të prostitucionit përmes pastrimit të parave. Hetimet janë kryer nga Njësia e Policisë Ekonomike Financiare e Milanos, e cila ka përmbledhur prova që konsiderohen domethënëse lidhur me mënyrën e veprimit të të pandehurve.
Hetimet zbulojnë se pas kompanisë organizatore të eventeve ishte ndërtuar një strukturë rekrutimi vajzash, përfshirë edhe eskortat profesioniste, të gatshme për të marrë pjesë në eventet e organizuara dhe për të kryer shërbime të natyrës seksuale. Disa prej vajzave qëndronin në ambientet e klubeve të menaxhuara nga e njëjta kompani dhe pastaj paguheshin për të kaluar mbrëmjet me klientë të pasur, përfshirë biznesmenë dhe një numër të konsiderueshëm futbollistësh të Serie A, të cilët paguanin shifra të konsiderueshme për këto shërbime.
Gjithashtu, hetimet e Guardia di Finanza mbi pasuritë e grumbulluara në mënyrë të dyshimtë nga organizata kriminale kanë nxjerrë në pah se të ardhurat e deklaruara nga të pandehurit ishin në disproporcion me pasuritë e tyre të vëna re. Sipas hetuesve, burimi ekskluziv i të ardhurave të dyshimta ishte biznesi i lidhur me organizimin e këtyre eventeve. Top Channel.















