Një skaf me tetë persona në bord rrezikoi të fundosej në zonën e Spillesë pasi pësoi defekt në motor dhe u mbush me ujë. Gjatë monitorimit të hapësirës detare, pas njoftimit se një mjet lundrues kërkonte ndihmë rreth 1 milje nga bregu në drejtim të Forsilukut, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare reaguan menjëherë dhe konstatuan skafin në vështirësi. Në mjet ndodheshin drejtuesi dhe shtatë anëtarë të familjes së tij.
Shërbimet e Policisë i dhanë ndihmën e nevojshme drejtuesit dhe familjarëve, ndërhynë për të siguruar personat dhe për të tërhequr skafin. Pas ndërhyrjes, mjeti lundrues u tërhoq dhe u nxorr në breg, në Karpen. Të tetë personat u vlerësuan në vend dhe rezultuan në gjendje të mirë shëndetësore. Ata falënderuan shërbimet e Policisë për ndihmën e dhënë.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se mjeti lundrues kishte dokumentacion të rregullt, ndërsa drejtuesi dispononte leje drejtimi. Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare vazhduan monitorimin e zonës dhe mbajtjen nën kontroll të situatës deri në nxjerrjen e skafit në breg.

