Ministria e Mbrojtjes njofton se deri në orën 20:00 në territor janë raportuar 8 vatra zjarri: 5 mbeten aktive, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është shuar plotësisht. Për menaxhimin e situatës janë angazhuar struktura operacionale vendore dhe qendrore, përfshirë MZSH, Forcat e Armatosura, ADZM/AZM, shërbimin pyjor, Policinë e Shtetit, strukturat bashkiake dhe vullnetarë; në mbështetje të operacioneve tokësore janë aktivizuar 2 helikopterë të Forcave të Armatosura.
Në malin e Dajtit, pas riaktivizimit të 3 vatrave, janë angazhuar 20 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, të mbështetura nga 1 helikopter i FA; ndërhyrja ka vijuar në terren të vështirë dhe vatra mbetet aktive. Angazhimi më i gjerë tokësor është regjistruar në qarkun Dibër.
Në Qafë të Helmës kanë operuar 27 forca: 8 nga MZSH Bulqizë, 9 nga shërbimi pyjor dhe 10 vullnetarë, duke punuar me prita dhe pompa shpine. Në Vajkal janë angazhuar forcat zjarrfikëse, 4 forca pyjore, 5 forca policore, 6 bashkiake, 13 të sektorit të shërbimit dhe 13 vullnetarë; për shkak të erës operacioni është mbështetur gjithashtu nga 1 helikopter i FA.
Në Sllatinë, Dibër, janë angazhuar 10 zjarrfikës, 4 forca të ADZM-së, 5 forca të njësisë administrative dhe 7 vullnetarë. Për shkak të terrenit të thyer dhe malor forcat kanë lëvizur me mjete 4×4, dhe operacioni është mbështetur gjithashtu nga 1 helikopter i FA. Në Arrmollë janë angazhuar 4 forca dhe 1 autobot uji, duke bërë të mundur normalizimin e situatës pa rrezik për banesat e tjera.
Në Ungrej, Lezhë, për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 2 automjete zjarrfikëse me 7 forca operacionale, 6 forca bashkiake dhe 4 vullnetarë; ndërhyrja përfundoi me shuarjen e plotë të vatrës. Në Elbasan, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje, pa rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

