Deri në orën 17:00 në territorin e vendit janë regjistruar 23 vatra zjarri, nga të cilat 13 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim, njofton Ministria e Mbrojtjes. Në operacionet e ditës janë angazhuar 317 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje janë të angazhuar 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
Në Mali të Dajtit, Tiranë, vijon operacioni në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës; forcat operacionale mbështeten nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe mirëpo ende në monitorim.
Në Gurë-Lurë, Dibër, shënohet një nga angazhimet më të mëdha operative: janë hapur korridore me fadroma për të ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave. Në terren janë 150 forca bashkiake, 20 efektivë policorë, 11 të ADZM, 15 të MZSH dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Sipërfaqja e djegur përllogaritet rreth 200 ha pyll pishe dhe aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Në Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë, operacionet përfshijnë 11 efektivë të MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura; zjarri është fikur nga krahu i fshatit Bulqizë dhe vazhdon aktiv nga drejtimi i Selishtës, pa rrezik për zonat e banuara.
Në Abaze, Krujë, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara; vatra në Zidoll është nën monitorim. Në Lufaj, Mirditë, vijon puna për shuarjen dhe hapjen e korridoreve ndarëse për të shmangur çdo rrezik për banesat. Në Fushë-Lajë, Pukë, zjarri mbetet aktiv në terren të thyer që vështirëson ndërhyrjen, por pa rrezik për banesat.
Në qarkun e Gjirokastrës aktive janë vatrat në Sotirë, Dropull, Bregu i Lejlekut, Libohovë dhe Krahës, Memaliaj; strukturat e MZSH janë në terren dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Vlorë, vatrat aktive janë në Gjormë, Aliban dhe Mesaplik; Gjormë është vënë nën kontroll, ndërsa në Aliban dhe Mesaplik vijon puna e MZSH për shuarjen. Në Dardhë, Librazhd, MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake vazhdojnë punën pa rrezik të raportuar për banesat.
Situata po menaxhohet me angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa AKMC përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile vazhdon ndjekjen dhe koordinimin në të gjithë territorin.

