Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë ditës janë ndjekur nëntë vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit. Falë ndërhyrjes së koordinuar të strukturave operacionale nga toka dhe ajri, situata është përmirësuar ndjeshëm dhe aktualisht nuk raportohet asnjë rrezik për zonat e banuara.
Në Dajt, pas ndërhyrjes së forcave të MZSH-së, ADZM-së dhe mbështetjes së helikopterit të Forcës Ajrore, zjarri raportohet i fikur dhe zona mbahet në monitorim. Në Priskë, vatra është shuar plotësisht. Në Çikallesh, në bashkinë Kavajë, ndërhyrja e forcave zjarrfikëse nga Kavaja, Kamza dhe Rrogozhina, e mbështetur nga ajri me avionin “Air Tractor”, bëri të mundur izolimin e plotë të vatrës dhe zona po mbahet nën vëzhgim.
Në Riban, Ngraçan dhe Panahor në bashkinë Mallakastër, zjarri është izoluar plotësisht në të gjithë perimetrin dhe po mbahet nën mbikëqyrje. Në Plan të Bardhë, bashkia Klos, era favorizoi zgjerimin e perimetrit dhe zjarri rrezikoi banesa dhe infrastrukturë elektrike; pas angazhimit të forcave zjarrfikëse të disa bashkive, Policisë së Shtetit, strukturave vendore, vullnetarëve dhe 25 efektivëve të Forcave të Armatosura, situata u vu nën kontroll.
Në Kostren 2, bashkia Berat, zjarri është shuar plotësisht pas ndërhyrjes së MZSH-së dhe forcave mbështetëse. Është shuar plotësisht edhe vatra në Uruç, bashkia Peqin. Në Alikomemaj, bashkia Memaliaj, është raportuar një vatër në një sipërfaqe me pisha dhe në terren janë dërguar forcat e MZSH-së Memaliaj për ndërhyrje dhe vëzhgim.
Në tërësi, Ministria e Mbrojtjes raporton se situata paraqitet e stabilizuar, pa vatra problematike që të rrezikojnë komunitetin apo zonat e banuara. Top Channel

