Gjatë ditës së sotme janë raportuar gjithsej 19 vatra zjarri në territorin e vendit; 10 prej tyre mbeten aktive, ndërsa 9 janë nën mbikëqyrje. Ministria e Mbrojtjes njofton se në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 316 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 7 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura po i mbështesin operacionet me 130 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 13 mjete, 1 autoambulancë dhe 1 dron.
Në Qarkun Tiranë vatra në Malin e Dajtit vijon të jetë aktive; në terren janë 25 zjarrfikës dhe 7 forca të Agjencisë së Drejtorive Zjarrfikëse e Mbrojtjes Civile (ADZM), të mbështetur nga 52 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 mjete dhe 1 autoambulancë. Autoritetet njoftojnë se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatrat në Malin e Bërzhitës dhe Mali me Gropa janë të izoluara dhe mbahen nën mbikëqyrje.
Në Qarkun Dibër vijojnë aktive vatrat në Lundre–Madhesh, Cerrujë–Mali i Allushit, Selishtë dhe Pleshë, ndërsa Qafa e Helmes mbahet nën mbikëqyrje. Forcat vendore, zjarrfikëse, pyjore dhe vullnetare vijojnë punën në terren, pa rrezik për zonat e banuara sipas njoftimit zyrtar.
Në Qarkun Lezhë vatra në Kalivaç–Zimaj–Rras i Butë–Ungrej vazhdon aktive me angazhimin e forcave vendore dhe 41 efektivëve të Forcave të Armatosura, 1 automjeti zjarrfikës dhe 4 mjete ushtarake; aktualisht nuk ka rrezik për banesat. Vatra në Gallatë të Kurbinit mbahet nën mbikëqyrje.
Në Elbasan, vatrat në Qukës dhe Gurëshpatë mbahen nën mbikëqyrje. Në Qarkun Shkodër vijojnë aktive vatrat në Porav, Mnelë e Madhe dhe Rragam, ndërsa Tërbuni është nën mbikëqyrje; në Rragam po punojnë MZSH, Shërbimi Pyjor, forcat bashkiake dhe Emergjencat Civile, pa rrezik për zonat e banuara.
Në Qarkun Fier, Peshtani mbahet nën mbikëqyrje, ndërsa vatra në Çërrilë, Mallakastër, vijon aktive dhe janë angazhuar edhe 32 efektivë dhe 3 mjete të Forcave të Armatosura. Në Qarkun Korçë vatra pranë Oparit është nën mbikëqyrje dhe nuk rrezikon banesa.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë vendin, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

