Ministria e Mbrojtjes njofton se deri në orën 17:00 janë regjistruar 24 vatra zjarri; 8 mbeten aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është nën kontroll. Për përballimin e situatës, në nivel kombëtar janë angazhuar të paktën 369 forca nga strukturat vendore dhe rajonale, të mbështetura nga 270 efektivë të Forcave të Armatosura, duke arritur në total të paktën 639 forca. FA mbështesin operacionet edhe me 5 mjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun, Pukë, vijon angazhimi i përforcuar me 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse. Në operacion janë 50 efektivë të MZSH nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kamza, Kukësi, Hasi dhe Shkodra; 14 punonjës të Shërbimit Pyjor; 68 punonjës të shërbimeve vendore; 70 vullnetarë dhe banorë; si dhe 53 efektivë të FA-së. Operacioni mbështetet nga 2 helikopterë të FA-së. Situata është përmirësuar në sipërfaqet pyjore të Gojanit, në lagjen Meshursh, Gojan i Vogël dhe Gjegjan, ndërsa zjarri vazhdon drejt Gojanit të Vogël dhe zonës së Prozhemit. Situata është më e rënduar në lagjen Pepaj, Gojan i Madh, ku vatra i është afruar banesave. Deri tani janë djegur 4 banesa të pabanuara, ndërsa një banesë e banuar në rrezik është shpëtuar. Për mbrojtjen e banesave janë dislokuar 5 mjete zjarrfikëse dhe 30 forca ushtarake; ndërhyrja ajrore vijon me 1 helikopter.
Në Shtan, Mirditë, janë angazhuar kapacitetet njerëzore dhe logjistike të bashkisë, me mbështetje nga 2 helikopterë dhe 2 mjete zjarrfikëse të FA-së. Për shkak të rrezikut për banesat, Policia e Shtetit ka evakuuar banorët e rrezikuar dhe në zonë është dislokuar një ambulancë.
Në Dukat, Vlorë, operacioni vazhdon me 2 mjete zjarrfikëse, 9 efektivë MZSH, 8 punonjës të pyllit, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 40 efektivë të FA-së; ndërhyrja nga toka mbështetet nga 2 avionë Air Tractor. Vatra ka marrë shtrirje drejt malit, por aktualisht nuk rrezikohen banesat.
Në Dajt, Tiranë, vijon izolimi i vatrave me 30 efektivë të FA-së, 13 efektivë MZSH, 9 forca të AZM-së dhe 1 helikopter FA; disa vatra janë izoluar plotësisht dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Mal Milot, Kurbin, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së forcave vendore, policore dhe të FA-së, dhe zona mbahet nën mbikëqyrje.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ndjek pandërprerë situatën në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile; kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

