Ministria e Mbrojtjes njofton se deri në orën 14:00 janë regjistruar 10 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 9 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin me 70 efektivë, 1 automjet zjarrfikës dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat kryesore aktive ndodhen në Dajt, Lufaj, Tërbun–Gojan–Gjegjan, Gjorm të Sipërm, Tunjë të Re dhe Rraja e Velës. Në Dajt është regjistruar një riaktivizim dhe operacioni vijon me 30 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 helikopter, 13 forca të MZSH dhe 9 forca të AZM; autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Lufaj, Mirditë, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët dhe po punojnë Shërbimi Pyjor dhe MZSH.
Situata më problematike paraqitet në zonën e Gojanit dhe Gjegjanit, Pukë, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa operacioni po mbështetet nga 40 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 automjet zjarrfikës dhe 2 helikopterë. Aktualisht nga autoritetet nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në këtë rajon.
Gurë-Lura dhe Qafë Helmes vijojnë të mbahen nën monitorim, me situatën të stabilizuar dhe pa rrezik për zonat e banuara. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon. Prioritet i veçantë i ndërhyrjeve është mbrojtja e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

