Deri në orën 14:00 të së dielës janë regjistruar 21 vatra zjarri në të gjithë vendin; 11 prej tyre mbeten aktive dhe 3 janë nën monitorim. Në operacionet e fikjes janë angazhuar 387 forca operacionale dhe 23 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 100 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. AKMC vijon monitorimin dhe koordinimin e operacioneve.
Mali i Dajtit, Tiranë: puna për shuarjen vijon me mbështetjen e 50 efektivëve të FA dhe 2 helikopterëve; nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.
Vakumone, Shëngjergj: operacion me forcat e MZSH, vullnetarë dhe strukturat vendore; nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Abaze, Krujë: zjarri aktiv, me intensitet të ulët; në terren 2 automjete zjarrfikëse, 24 efektivë, 10 vullnetarë dhe 15 forca të ADZM; nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Gurë-Lurë, Dibër: operacion në një perimetër të gjerë me 115 forca bashkiake, 13 forca policore, 11 ADZM, 14 efektivë MZSH me 2 automjete zjarrfikëse, 7 vullnetarë dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor dhe një automjet zjarrfikës i FA. Korridoret e hapura kanë penguar avancimin e zjarrit drejt banesave; aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë: zjarri i fikur nga krahu i Bulqizës, aktiv në drejtim të Selishtës; në terren 6 forca bashkiake dhe 5 vullnetarë; nuk ka rrezik për banesat.
Bruç, Mat: zjarri me shtrirje të gjerë në zonë shkëmbore me akses të vështirë; në operacion 1 automjet zjarrfikës dhe 5 efektivë; nuk ka rrezik për banesa, stane apo blegtori.
Lufaj, Mirditë: vijon puna me 20 forca për hapjen e korridoreve, me mbështetje të 1 helikopteri të FA; vatra aktive por me intensitet më të ulët.
Tharri, Mirditë: vatra nën kontroll; në terren 2 automjete zjarrfikëse, 8 efektivë MZSH, 8 forca bashkiake, 15 vullnetarë dhe 5 policë, me punë për fikjen e plotë.
Fushë-Lajë, Pukë: intensitet i ulët por me përhapje në sipërfaqe; në operacion 2 automjete zjarrfikëse, 10 efektivë MZSH dhe 16 forca bashkiake; nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Rrjoll, Shkodër: vatra në terren të paarritshëm, monitorohet dhe përdoret dron për evidentim. Trevllazër, Vlorë: nën kontroll. Leminot, Maliq: vatër e re në barishte dhe shkurre; MZSH Maliq në terren për shuarjen. Ministria e Mbrojtjes përcakton se vatrat kryesore janë në zona të Dibrës, Tiranës, Mirditës, Matit, Krujës, Pukës, Shkodrës, Vlorës dhe Korçës dhe se nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara, ndërsa operacionet për izolimin dhe shuarjen vazhdojnë.

