Presidenti i Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Europë (ACI Europe), Stefan Schulte, shprehu shqetësim të thellë për funksionimin e sistemit të ri të hyrje-daljeve (EES) për shtetasit e vendeve jashtë Bashkimit Europian. Schulte tha se EES, i bazuar në verifikimin e të dhënave biometrike të udhëtarëve dhe i zbatuar gradualisht nga BE-ja, po shkakton vonesa të konsiderueshme në pikat kufitare dhe bëri thirrje që institucionet europiane të pranojnë vështirësitë reale të sistemit në vend që ta paraqesin si një proces pa probleme.
Sipas tij, gjatë orëve me fluks të lartë udhëtarët detyrohen të presin me orë të tëra në radhë, dhe nuk është e qartë se si do të përballohet rritja e trafikut në javët e ardhshme. Schulte, i cili drejton edhe kompaninë Fraport, menaxhuese e Aeroportit Ndërkombëtar të Frankfurtit, vuri në dukje se problemet me EES-in janë evidentuar në disa aeroporte europiane. Si shembull u përmend një incident në prill, kur pasagjerë të fluturimit Milano–Manchester humbën lidhjet e tyre për shkak të vonesave në kontrollin e pasaportave.
Për të shmangur kaosin dhe bllokimet në aeroporte, Schulte proponoi më shumë fleksibilitet në zbatimin e sistemit, duke sugjeruar që autoritetet kufitare të kenë mundësinë ta pezullojnë përkohësisht EES-in kur situata e kërkon. Ai gjithashtu kërkoi një rishikim të përgjithshëm të sistemit.
Bashkimi Europian ka lejuar pezullimin e përkohshëm të EES-it në rrethana të caktuara deri në muajin shtator. Megjithatë, Schulte paralajmëroi se sezoni veror vazhdon edhe pas kësaj periudhe dhe shtoi se në mungesë të masave shtesë sistemi mund të përballet me vështirësi edhe më të mëdha.

