Në qershor, e përditshmja New York Times publikoi një artikull mbi shkëmbime të mundshme favoresh midis presidentit të SHBA, Donald Trump, dhe kreut të FIFA-s, Gianni Infantino. Më pas, mediat franceze shkuan më tej, dhe Le Monde zbuloi shifrat e një marrëveshjeje qiraje ndërmjet FIFA-s dhe një kompanie me seli në New York të drejtuar nga Eric Trump, djali i presidentit amerikan.
Sipas Le Monde, FIFA në vitin 2025 mori me qira një zyrë që përshkruhet si “fantazmë” në Trump Tower për afërsisht 4 milionë euro për shtatë vitet e ardhshme. Shifra konkrete përmendur është 3.19 milionë euro për katin e 17-të, me një sipërfaqe rreth 450 m2, e cila sipas gazetës është në pjesën më të madhe e bosh. Artikulli nënvizon se Infantino ka zyrën e tij në atë ndërtesë.
Dokumentet, të cilave Le Monde thotë se pati akses, tregojnë se kontrata fillon në qershor 2025 dhe u nënshkrua nga katër anëtarë të Këshillit Administrativ në maj 2025, me firmën e sekretarit të përgjithshëm Mattias Grafström. Marrëveshja është e vlefshme deri në vitin 2032, dhe parashikon që për të zgjidhur kontratën FIFA mund ta bëjë këtë vetëm pas një periudhe 5 vjeçare e 7 mujore nga data e hyrjes në fuqi. Gjithashtu kërkohet një njoftim paraprak 12 muaj dhe parapagesë e barabartë me gjashtë muaj qiraje.
Le Monde raporton se nuk ka personel të FIFA-s në ambientet e Trump Tower dhe se shumica e stafit të organizatës nuk ishin të informuar për këtë marrëveshje. Dokumentet tregojnë gjithashtu se FIFA nuk vizitoi hapësira të tjera dhe nuk shqyrtoi oferta konkurruese para se të zgjidhte Trump Tower si seli përfaqësuese, ndryshe nga procedura e ndjekur në Miami.
Në dritën e këtyre fakteve, disa anëtarë të administratës së FIFA-s shprehën shqetësim për marrjen me qira të zyrës, duke ngritur dyshime për konflikt të mundshëm interesi dhe duke vënë në dukje se procedura nuk ishte në përputhje me praktikën e zakonshme.

