Jeta e përditshme konsiderohet stresuese dhe mungesa e kohës për planifikimin e pushimeve po i nxit shumë qytetarë në Gjermani të përdorin inteligjencën artificiale (IA) për të kursyer kohë dhe për të marrë sugjerime e këshilla për udhëtimet e tyre. Sipas njoftimit të shoqatës së industrisë digjitale Bitkom, një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve kanë shfrytëzuar mjetet e IA-së në faza të ndryshme të planifikimit dhe përvojës së udhëtimit.
Të dhënat e një ankete përfaqësuese me rreth 1,000 persona mbi moshën 16 vjeç tregojnë se pothuajse një në katër qytetarë gjermanë ka përdorur sugjerime të IA-së për të zgjedhur destinacionin ose vendin ku do të kalojë pushimet. Rreth 19% e të anketuarve kanë përdorur IA-në për kërkimin e akomodimeve, përfshirë edhe biletat e avionit apo trenit. Përdorimi i IA-së shtrihet më tej: 6% thanë se e kanë përdorur për të krijuar listën e gjërave që duhet të marrin me vete gjatë udhëtimit, ndërsa 5% e përdorin për të marrë këshilla lidhur me destinacionin, vaksinat ose veçoritë kulturore të vendeve që planifikojnë të vizitojnë.
Edhe gjatë qëndrimit në destinacion, IA vazhdon të përdoret; rreth 17% e të anketuarve kanë treguar se kanë përdorur mjetet e IA-së për t’u informuar mbi ekskursione dhe aktivitete të ndryshme gjatë pushimeve. Restorantet janë një tjetër fushë ku IA po aplikohen në masë: 21% kanë kërkuar rekomandime për restorante përmes programeve të inteligjencës artificiale. Një përdorim i përhapur lidhet edhe me përpunimin e fotografive të pushimeve, ku rreth 25% e të anketuarve thanë se kanë përdorur programe të IA-së për të përmirësuar fotografitë e realizuara gjatë udhëtimeve.
Të dhënat tregojnë se inteligjenca artificiale po bëhet gradualisht një mjet i përdorur në faza të ndryshme të udhëtimit, nga përzgjedhja e destinacionit dhe rezervimi i akomodimit, deri te aktivitetet, restorantet dhe përpunimi i fotografive gjatë pushimeve. (Dw)

