Një kontroll i beftë është zhvilluar prej mëngjesit të sotëm në gjithë territorin e Bashkisë Sarandë. Përfaqësues të lartë të AZHT dhe IKMT, me mbështetjen e Inspektoratit të Mjedisit dhe Territorit (IMT) të Bashkisë Sarandë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë kryer kontrolle në qytetin e Sarandës dhe në zonën e Ksamilit.
Gjatë inspektimeve janë verifikuar një sërë kantieresh ndërtimi që dispononin leje. Një pjesë e mirë e këtyre kantierëve është konstatuar me shkelje ose me mungesë dokumentacioni të nevojshëm. Për subjektet e inspektuara është lëshuar dokumenti “Akt-Verifikimi mbi Sigurinë e Kantierit” nga AZHT dhe IKMT, me afat 10 ditor për plotësimin e të gjitha pikave të gjetura si të parregullta. Në dokument përcaktohet se në rast të mosplotësimit brenda afatit do të shqiptohen gjoba.
Përveç kantierëve të lejuar, inspektimet kanë përfshirë edhe disa pika të konsideruara “të nxehta” dhe dyshuara për ndërtime të paligjshme, me fokus të veçantë në zonën e Ksamilit. Veprimet kanë qenë të koordinuara mes institucioneve të përfshira dhe kanë synuar verifikimin e dokumentacionit dhe respektimin e standardeve dhe rregullave të sigurisë në kantierë.
Pas kontrollit në terren, Drejtoresha e Përgjithshme e AZHT, së bashku me përfaqësues të IKMT dhe drejtues lokalë të IMT dhe Komisariatit të Sarandës, zhvilluan një mbledhje rreth një ore e 30 minuta me dyer të mbyllura në Bashkinë e Sarandës. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit për Mbrojtjen e Prokurimit (AMP), Klevis Qose, i cili mbërriti në Sarandë për verifikimin e punës së Komisariatit të Sarandës pas disa denoncimeve të ardhura përfshirë edhe pretendime për përfshirje të uniformave të policisë në favorizimin e ndërtimeve pa leje.

