Më pak se dy vjet pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti sovran bektashi në Tiranë, projekti po hyn në një fazë të re, me drejtuesit e Urdhrit Bektashi që po përgatisin formalizimin e statusit dhe ngritjen e strukturave të para diplomatike. Media franceze Intelligence Online raporton se krijimi i asaj që është përshkruar si “Vatikan mysliman” dhe mund të jetë shteti më i vogël në botë, pritet të zyrtarizohet nga autoritetet shqiptare në muajt e ardhshëm.
Përtej statusit juridik, drejtuesit bektashinj po shqyrtojnë krijimin e simboleve dhe institucioneve shtetërore, përfshirë një monedhë të mundshme të quajtur “bek”, që mund të jetë e indeksuar me çmimin e arit, dhe lëshimin e pasaportave. Selia Botërore e Bektashinjve në Tiranë po punon gjithashtu në frontin diplomatik, duke emëruar të dërguar nën drejtimin e ambasadorit të përgjithshëm Kreshnik Grezda.
Lëvizja u njoftua nga Rama në Kombet e Bashkuara në shtator 2024 dhe enklava e propozuar do të zinte 11 hektarë, një e katërta e madhësisë së Vatikanit. Plani u vonua pasi një lëvizje shoqërore që u quajt “Revolucioni i Flamingove” shpërtheu si reagim ndaj një kompleksi luksoz hoteliere të planifikuar në ishullin e Sazanit, projekti i lidhur me fondin Affinity Partners të Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Protestat morën karakter politik dhe vunë në shënjestër Ramën, ndërsa krijimi i Urdhrit Bektashi përshkruhet si pjesë e agjendës së tij politike.
Drejtuesi shpirtëror Edmond Brahimaj, i njohur si Baba Mondi dhe ish-oficer ushtarak, po pritet të udhëheqë procesin e themelimit dhe mirëpret delegacione të huaja në selinë e tij, përfshirë përfaqësues të Ministrisë së Jashtme izraelite. Përfaqësuesi për SHBA-në është Christopher Hyland, sipërmarrës me bazë në New York, ndërsa për Francën dhe Belgjikën është emëruar Hazis Vardar, sipërmarrës belg me origjinë shqiptare dhe drejtues në sektorin e kulturës. Vardar bashkëthemeloi në fund të 2024-ës kompaninë DataSentinel Balkans, e cila ka partneritete me dy kompani franceze, Cyber ICS dhe Terra OSINT, për mbështetje teknike në siguri kibernetike dhe analizën e operacioneve të ndikimit. Ambasadë dhe misione të huaja, përfshirë ambasadën amerikane në Tiranë, po ndjekin nga afër zhvillimet.

