Gjatë 10 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri në vend, nga të cilat 7 mbeten aktive. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat aktive ndodhen në Riban dhe Ngraçan (bashkia Mallakastër), Dajt, Shqiponjë, mali i Dardhës dhe Mjekës (qarku Elbasan), si dhe në zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës (bashkitë Libohovë dhe Dropull).
Situata më problematike është në fshatrat Riban dhe Ngraçan të Mallakastrës, ku zjarri ka marrë përmasa dhe po punohet për të penguar përhapjen drejt zonave të banuara. Në operacionet për shuarje janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, 35 forca bashkiake, 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin e forcave të MZSH-së, Administratës së Zonave të Mbrojtura, 50 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe një helikopteri të Forcës Ajrore; autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në qarkun e Elbasanit ndërhyhet në Shqiponjë, malin e Dardhës dhe fshatin Mjekës; zjarret në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll dhe nuk raportohet rrezik për banorët.
Në zonën malore ndërmjet Stegopullit dhe Selckës, zjarri ka kaluar në majën e malit dhe ka rritur intensitetin brenda një zone të mbrojtur, por pa paraqitur rrezik për zonat e banuara. Në Penkovë të bashkisë Selenicë zjarri është shuar plotësisht pas dëmtimit të rreth 2 hektarëve pyll me pisha dhe 40 automjeteve të braktisura. Në Gumenicë vijon puna për shuarjen e një vatre me shkurre, ndërsa në Vërzhezhë të Skraparit situata është vendosur nën kontroll.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar gjithsej 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, një helikopter dhe një avion “Air Tractor”. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e territorit dhe koordinimin e ndërhyrjeve për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive.

