Të dhënat e Ministrisë së Brendshme britanike (Home Office), të përcjella nga Top Channel, tregojnë se për të pestin vit radhazi shqiptarët renditen të parët për numrin më të madh të të dëbuarve nga Anglija. Për periudhën Tetor 2025–Tetor 2026 janë regjistruar 2,247 shqiptarë të dëbuar, duke lënë pas rumunët, brazilianët, indianët dhe polakët.
Pothuajse shumica e këtyre 2,247 personave ishin të dënuar për vepra të ndryshme penale; pas kryerjes së 40% të dënimeve të marra, me avionë të posaçëm janë kthyer në Shqipëri. Home Office raporton se 80% e tyre ishin të dënuar për përfshirje në shitjen e kokainës. Një statistikë tjetër e ministrisë tregon se shtetasit shqiptarë përbëjnë grupin më të madh për nga shtetësia në mesin e personave të kthyer në kuadër të procedurave të lidhura me azilin, duke zënë një të katërtën (24% ose 2,831 persona) të të gjitha kthimeve të tilla deri në mars 2026.
Të dhënat vlerësojnë gjithashtu fluksin e mbërritjeve me gomone: gjatë vitit 2022 mbi 12,000 shqiptarë kaluan Kanalin e La Manshit me gomone. Home Office njofton se gjatë vitit 2025, 53% e totalit të personave që mbërritën me gomone dhe më pas u dëbuan ishin shqiptarë.
Mes 1 shkurtit 2025 dhe 31 janarit 2026, gjithsej 2,835 emigrantë u transportuan me avionë jashtë Mbretërisë së Bashkuar, me një kosto totale prej 13.8 milionë paundësh, ekuivalente me rreth 5,000 paund për person. Sipas gazetës The Telegraph, dëbimi me një avion privat të tipit Airbus 321 i 47 shqiptarëve i ka kushtuar Home Office 22,000 stërlina për secilin prej tyre.
Një zëdhënës i Home Office deklaroi se “më shumë se 80,000 emigrantë që kanë hyrë ilegalisht dhe shtetas të huaj që kanë kryer vepra penale janë kthyer që nga zgjedhjet e korrikut 2024, një rritje prej 41 për qind”. Shqipëria rezulton gjithashtu si vendi me numrin më të madh të fluturimeve çarter, me 42 avionë të marrë me qira për të kthyer në atdhe 1,810 emigrantë gjatë kësaj periudhe, të cilët kishin hyrë ilegalisht ose kishin kryer vepra penale.

