Gjatë takimeve me efektivët e policisë, mësuesit dhe përfaqësuesit e bankave, kryeministri Edi Rama ka zbuluar disa masa ndëshkuese të parashikuara kundër atyre që u përfshinë në akte dhune gjatë protestave. Gazetari Muhamed Veliu raporton se në kryeministri po punon një grup juristësh për finalizimin e një dokumenti propozues. Një prej juristëve, në kushtet e anonimatit, ka shpjeguar se në paketë po bashkëpunohet edhe me ekspertë francezë për një model franko-shqiptar kundër dhunuesve të pronës publike e private, me synimin që Bashkimi Europian të hapë një front anti-vandalizëm.
Në propozim është përfshirë ideja e një liste të zezë në sistemin TIMS për personat që kryejnë akte dhune gjatë protestave, me qëllim ndalimin e hyrjes në vendet e BE-së. Kjo masë synon të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te të rinjtë që pas përfshirjes në akte dhune duan të largohen, apo te ata që duan të studiojnë, jetojnë ose udhëtojnë në vendet e BE-së.
Po hartohet gjithashtu një regjistër i posaçëm për dokumentimin e rasteve kur persona apo profile në rrjetet sociale kërcënojnë haptaz qytetarët, bëjnë thirrje për sulme ose nxisin akte dhune. Çdo rast do të ruhet me provat përkatëse dhe do t’u referohet autoriteteve përgjegjëse për verifikim dhe ndjekje ligjore. Kur nga verifikimi rezulton një person konkret, parashikohet bashkëpunim ndërkombëtar dhe njoftim i kompanive ajrore, agjencive të udhëtimit dhe platformave të rezervimeve lidhur me sjelljen vandaliste të individit.
Paketa thekson se kërcënimi i jetës së të tjerëve ose nxitja e dhunës duhet të ketë pasoja reale, përfshirë kufizime në udhëtim dhe qëndrim jashtë vendit, pasi fshirja e një statusi nuk shlyen përgjegjësinë për një kërcënim të dokumentuar. Për personat e dënuar për dhunë, njoftimi do të jetë automatik dhe për tre vjet ata do të kenë të pamundur të marrin bileta avionesh dhe të bëjnë rezervime në hotele. Top Channel njofton se ky është përmbajtja e paketës së propozuar në shqyrtim.

