Një shpërthim i fuqishëm tronditi një kazermë ushtarake në Viacha, rreth 30 kilometra nga La Paz, të premten rreth orës 14:30, duke shkaktuar viktima, dhjetëra të plagosur dhe dëme të mëdha materiale. Ngjarja ndodhi në një bazë ku ishte vendosur një regjiment artilerie dhe autoritetet paralajmëruan se bilanci mund të rëndohet.
Ministri i Mbrojtjes, Ernesto Justiniano, njoftoi se të paktën 81 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa 14 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Zyrtarët shëndetësorë thanë se numri i viktimave mund të jetë dukshëm më i lartë, duke përmendur vlerësime paraprake që flasin për 10 deri në 15 të vdekur. Policia bëri të ditur se shpërthimi ka dëmtuar dhjetëra banesa përreth kazermës, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet nën rrënoja për të gjetur personat e bllokuar.
Rreziku vazhdon të jetë i pranishëm: zyrtarët shëndetësorë paralajmëruan për mundësinë e një shpërthimi tjetër dhe u kërkuan banorëve të qëndrojnë të paktën 150 metra larg zonës së prekur. Komandanti i bazës, koloneli Antonio Amaru, deklaroi se midis të zhdukurve janë një rreshter dhe 13 ushtarë të rekrutuar, të moshave 18 dhe 19 vjeç.
Sipas policisë, në kazermë ishin ruajtur fishekzjarre dhe materiale piroteknike, por shkaku i saktë i shpërthimit mbetet nën hetim. Presidenti i Bolivisë, Rodrigo Paz, shfaqi solidaritet me familjet e viktimave dhe të plagosurve dhe premtoi një hetim të plotë, teknik dhe transparent për zbardhjen e rrethanave të incidentit.
Autoritetet lokale të Viacha shpallën tre ditë zie pas tragjedisë. Operacionet e kërkim-shpëtimit dhe ndërhyrjet e emergjencës vazhdojnë në zonën e prekur, ndërsa zyrtarët po përpiqen të vlerësojnë dëmet materiale dhe të sigurojnë ndihmën për të prekurit.

