Pesë ekipe me emra të njohur të arkitekturës ndërkombëtare morën pjesë sot në Durrës në garën për projektimin e kampusit të ri të Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Fitues në këtë Konkurs Ndërkombëtar për Masterplanin e Kampusit Universitar u shpall projekt-idea e 51N4E në bashkëpunim me JESHILE Landscape Design dhe Blerta Kambo.
Pas muajsh pune, bashkëpunimi dhe hartimi të projekt-ideve, universiteti mbërriti në finalen e konkursit, një proces që synon të përcaktojë vizionin e ri për një prej hapësirave më të rëndësishme akademike në vend. Pesë ekipet finaliste prezantuan propozimet e tyre për transformimin e kampusit në një hapësirë moderne, funksionale dhe të orientuar drejt së ardhmes, në një garë që, sipas njoftimeve, konsiderohet si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e universitetit.
Në garë ishin: 51N4E me JESHILE Landscape Design dhe Blerta Kambo; Bjarke Ingels Group – BIG me Architevo Design Collective, Embrace Ideas, Kristo Krisiko, Rider Levett Bucknall, HSC Studio dhe Ergys Çaushi; FRPO Rodriguez & Oriol me PORRAS & LA CASTA Arquitectos, Studio B&L, Agim Seranaj dhe Adrian Paci; OZ Architects me iRI Architecture, Felixx, Studio Sabine Marcelis dhe BUROMILAN; dhe PRÁCTICA me STUDIO-REBUS, Ana Horhat dhe Ledia Kostandini.
Në përbërjen e jurisë ishin rektori i universitetit Shkëlqim Fortuzi, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, drejtorja e AKPT Adelina Greca dhe ajo e AZHT Adelajda Roka, si dhe emra të njohur të arkitekturës dhe urbanistikës: Christian Kerez, Wilfried Kuehn, Lorena del Río, Pier Paolo Tamburelli dhe João Nunes. Për herë të parë në juri u përfshi edhe një përfaqësuese e studentëve.
Organizatorët e prezantuan konkursin si një hap të madh drejt kampusit të së ardhmes për Universitetin “Aleksandër Moisiu”, duke e konsideruar procesin jo vetëm si projekt ndërtimi, por si një investim në cilësinë e arsimit të lartë, jetën studentore dhe zhvillimin urban të Durrësit.

