Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë reagoi pas prezantimit të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale nga Kryeministri Rama. Në dokumentin që disponon gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Shoqata shpreh se ndryshimet cenojnë sekretin hetimor dhe se barrierat procedurale mund të ngadalësojnë hetimet.
Shoqata deklaron se mbështet në parim çdo nismë ligjore që synon përmirësimin e sistemit të drejtësisë penale, përafrimin me standardet e BE-së dhe forcimin e garancive për të drejtat dhe liritë themelore. Sidoqoftë, thekson se mbrojtja e të drejtave të të pandehurit dhe personit nën hetim është kusht themelor, ndërsa një procedurë penale demokratike duhet të sigurojë edhe aftësinë reale të shtetit për të zbuluar veprat penale, mbledhur dhe ruajtur provat, identifikuar autorët dhe mbrojtur viktimat dhe interesin publik.
Shoqata vëren se Kodi procedural ka nevojë për stabilitet që praktika gjyqësore të konsolidohet dhe që Gjykata e Lartë të ushtrojë funksionin njësues; ndryshimet e shpeshta krijojnë probleme të sigurisë juridike dhe parashikueshmërisë. Ndërhyrjet që prekin themelet e hetimit penal, balancën ndërmjet subjekteve procedurale dhe funksionalitetin e sistemit duhet të mbështeten në analizë të qartë të problemeve praktike dhe vlerësim të plotë të ndikimit, si dhe në konsultim publik gjithëpërfshirës dhe me kohën e nevojshme.
Nga analiza paraprake e projekt-ndryshimeve, Shoqata shpreh shqetësim se shumë dispozita rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat, të ngadalësojnë zbulimin e veprave penale — veçanërisht korrupsionin dhe krimin e organizuar — dhe të kufizojnë informimin publik, duke dëmtuar interesin publik dhe besimin te drejtësia. Vërehet prirje për kufizim të kompetencave dhe mjeteve të kërkimit të provës në dispozicion të prokurorit gjatë hetimeve, me barriera për sekuestrimet, kontrollet, përgjimet dhe përdorimin e provave të tjera.
Shoqata thekson se prokurori në Shqipëri është magjistrat i pavarur dhe ka detyrimin për të grumbulluar prova për fajësi dhe pafajësi; çdo ndryshim duhet të bazohet në këtë premisë. Ajo paralajmëron kundër importimit mekanik të instituteve nga sisteme të tjera pa marrë parasysh arkitekturën institucionale, pasi kjo rrezikon krijimin e një modeli procedural atipik dhe me përgjegjësi të fragmentuara. Shoqata nënvizon se çdo reformë duhet të avanconte standardet e vendosura me Reformën në Drejtësi, duke ruajtur rolin qendror të prokurorit dhe kontrollet gjyqësore si elemente plotësuese.

