Projektligji i ri për kinematografinë dhe audiovizualin parashikon tërheqjen e investimeve në sektorin kinematografik dhe audiovizual nëpërmjet një skeme rimbursimi të shpenzimeve (cash rebate). Sipas projektligjit, do të rimbursohet një përqindje e shpenzimeve të kualifikuara të kryera në Shqipëri gjatë prodhimit të veprave, me qëllim nxitjen e xhirimeve dhe investimeve në vend. Norma e propozuar e rimbursimit është 35% e shpenzimeve të kualifikuara, ndërsa përfituese parashikohen shtëpitë kinematografike të huaja që kanë marrëveshje bashkëpunimi me shtëpitë kinematografike shqiptare.
Shoqata e Kineastëve Shqiptarë “Lumiere” shpreh kundërshtimin ndaj këtij propozimi, duke argumentuar se ai mund të deformojë tregun lokal dhe të sjellë varësi nga prodhimet e huaja oportuniste. Në kërkesën e saj për shfuqizimin e projektligjit, shoqata vë në dukje rreziqet e rritjes artificiale të kostove të tregut dhe dobësimit të fondeve për autorët vendas. “Lumiere” kërkon që mekanizmi i propozuar i cash rebate 35% të rishikohet thellësisht përmes një procesi transparent konsultimi me komunitetin profesional të kinematografisë dhe ekspertët e ekonomisë kulturore, duke marrë parasysh jo vetëm efektet afatshkurtra financiare, por edhe pasojat afatgjata mbi ekosistemin kulturor dhe krijues shqiptar.
Shoqata argumenton se një rebate 35% mund të krijojë kërkesë më të madhe sesa kapaciteti real i sektorit. Ajo përmend mungesat strukturore dhe profesionale: ekipe teknike relativisht të vogla, mungesë studiosh të mëdha, mungesë laboratorësh, mungesë strukturash insurance dhe pak producentë ekzekutivë me eksperiencë ndërkombëtare. Nga kjo, sipas shoqatës, shumë funksione do të importoheshin nga jashtë dhe një pjesë e madhe e subvencionit do të dilte përsëri jashtë Shqipërisë.
Letra e “Lumiere”, me datë 5 qershor dhe firmën e kryetarit Joni Shanaj, është dërguar tek kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Niko Peleshi, ministri i Financave Petrit Malaj, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Goxha dhe kryetarja e Komisionit të Kulturës Ina Zhupa, ku shoqata kërkon ndryshimin e projektligjit.

