Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë Kufitare në Himarë shmangu sot një ngjarje me pasoja të rënda në det, pas njoftimit për një gomone që po lëvizte në mënyrë të pakontrolluar dhe me shpejtësi, pa persona në bord. Sipas raportimit, gomonia u vërejt në zonën e “Kepit të Rigonit”, përballë plazhit të Llamanit, dhe paraqiste rrezik për mjetet e tjera lundruese dhe për pushuesit në bregdet.
Pas verifikimeve në vendngjarje rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Orikum, kishte rënë në det gjatë lëvizjes dhe ishte dalë në gjirin e Llamanit, ku ishte konstatuar me një dëmtim në këmbë. Ai u transportua në spital për ndihmë mjekësore dhe, sipas të dhënave të njoftuara, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për të neutralizuar rrezikun që gomonia paraqiste, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare ndërhynë në vendngjarje. Një punonjës i Njësisë Policore Detare arriti të hipte në bord të gomones dhe ta ndalonte atë, duke parandaluar përplasjet e mundshme me mjete të tjera lundruese dhe ekspozimin e pushuesve ndaj rrezikut. Pas bllokimit dhe marrjes nën kontroll të mjetit, gomonia u tërhoq dhe u vendos në PKK Himarë për verifikime të mëtejshme nga autoritetet kompetente.
Policia Kufitare thekson angazhimin maksimal në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve dhe fton qytetarët që, në rast nevoje, të kontaktojnë shërbimet e emergjencës përmes numrit 112. Ngjarja tregon ndërhyrjen operative të strukturave policore detare dhe kufitare në rastet kur mjetet lundruese paraqesin rrezik për sigurinë në det dhe për banorët e zonave bregdetare.

